Nga Mero Baze/
Argumenti më i përdorur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta(Metaj) për financimin rus të PD, është se përmes këtij akti, që ata e bëjnë fakt të kryer, Edi Rama ka marrë peng Lulzim Bashën dhe ka asfiksuar opozitën. E thonë aq shpesh këtë sa bëjnë fakt të kryer financimin rus të PD dhe si pasojë të këtij financimi, llogarisin faktin që Lulzim Basha u bë peng i Edi Ramës dhe i hapi rrugë kthimit në krye të opozitës të Sali Berishës dhe Ilir Meta(Metaj).
Kur shikon përfundimin e këtij “operacioni rus”, në “bashkëpunim” me Edi Ramën, duket se përfituesit duhet të gëzoheshin për këtë pengmarrjen e Lulzim Bashës dhe jo të acaroheshin. Ata duhet të acaroheshin sikur Edi Rama të kishte marrë peng Lulzim Bashën dhe të fuste në burg Berishën dhe Ilir Meta(Metaj) dhe jo t’i bënte kryetar.
Kjo është çudia e parë e pengmarrjes së Lulzim Bashës.
Çudia e dytë më e madhe është që Berisha dhe Meta(Metaj), pranojnë që në Shqipëri nëse je i përfshirë në një aferë korruptive, qeveria të merr peng kur je opozitar dhe të detyron të bësh çfarë i do qejfi asaj. Parimisht kanë të drejt. Nuk është se jemi ndonjë demokraci e kulluar dhe mund të ndodh dhe kështu.
Por si ka mundësi që Sali Berisha ka së paku dy dosje të nxehta në SPAK, historinë e grabitjes së klubit “Partizani” nga vajza e tij, dhe vet ai përmes kateve ligjore që diktoheshin nga interesi familjar dhe rihapjen e dosjes së Gërdecit ku i biri i tij është në qendër të skandalit që mori 26 jetë njerëzish. Po ashtu dosja e 21 janarit është ende e pambyllur nga drejtësia shqiptare dhe një rikthim i saj në kushtet e reja e bën Sali Berishën që funeralin e tij ta nisi nga 313 drejt Sharrës.
Po ashtu Ilir Meta ka së paku katër dosje në SPAK. Njëra lidhet me financimet e dyshimta të partisë së tij, e ngjashme me atë dosjen e Bashës, tjetra me aferat e financimit korruptiv të partisë nga biznese që kanë përfituar politikisht, njëra me shpenzimet e padeklaruara të gruas së tij dhe tjetra me kërcënimet ndaj një dëshmitari që lidhet me çështjen Dea-CEZ.
Pra të dy udhëheqësit aktual aktiv të opozitës janë me dosje nën hetim nga SPAK. Parimisht sipas tyre janë peng tek Edi Rama.
Si ka mundësi që Edi Rama nuk i merr peng këta me këto dosjet dhe të bëjë me ta çfarë i do qejfi, përderisa ai e ka pasur këtë mundësi me Lulzim Bashën, i cili paskësh një dosje për dyshimet rreth një financimi të ardhur nga Rusia për llogari të PD?
Është e njëjta drejtësi, i njëjti kryeministër me ndryshimin që dosjet e këtyre janë një mal i lart, para bregut të Lulzim Bashës.
Përse këta nuk u marrkan peng me nga tre katër dosje dhe Lulzim Basha qenka marr peng me një dosje.. Ose së paku për të shuar dyshimet e opozitës që është “djegur” nga qulli dhe mund ti fryjë dhe kosit, pse nuk ikin në shtëpi këta që të mos ketë opozita lider që merren peng?
Nuk e bëjnë se e dinë që këtu të vetmit që kanë marrë peng drejtësinë janë ata të dy. Ata nuk i ka prekur drejtësia për 30 vjet për asgjë, as për vrasje, as për vjedhje, as për krime elektorale dhe as për dëmin që i kanë shkaktuar Shqipërisë.
Dhe janë të vetmit që kanë marrë peng dhe opozitën, për tu mbrojtur nga drejtësia dhe jo për tu trembur prej saj. Ndaj nuk u pi ujë kjo teza për Lulzim Bashën…
Po të ishte 1 për qind e vërtet, atëherë këta të dy Berisha dhe Meta(Metaj), do të ishin pengjet më të mëdha të historisë në dorë të Edi Ramës.