Ish-ylli i Barcelonës, Dani Alves ka treguar hapur admirimin e tij për Cristiano Ronaldon. Dyshja u përballën në disa “beteja” gjatë kohës që Ronaldo luante në Real Madrid, ndërsa Alves për kundërshtarët e “betuar” të tij. Sidoqoftë, rivaliteti midis dy klubeve i pengoi që të shfaqnin respektin e ndërsjellë, sipas Alves. Por tani që është kthyer në Brazil, në vendin e tij të lindjes, ai ndihet më i lirëshëm të flasë për periudhën në futbollin spanjoll. “Unë e dua Cristianon. Tani nuk jemi më tek Barca apo Madrid, mund të flas, pasi gjithmonë më dukej sikur nuk mundesha”, tha Alves në një intervistë.
Më pas shtoi: “Cristiano është shembulli, për të gjithë ne që nuk kemi aq shumë cilësi, që me punë të palodhur mund të konkurrosh kundër më të mirëve. E respektoj shumë dhe pata rastin t’ia them. Ishte një periudhë, ku për shkak të rivalitetit, shkova ta përshëndesja dhe ai më shpërfilli. Ishte diçka që nuk u zbulua kurrë, por në dhomën e zhveshjes së Topit të Artë patëm një “përleshje”. I përshëndeta të gjithë dhe ai më injoroi për shkak të rivalitetit Barca-Madrid. Unë identifikohem me të, sepse gjithçka që kam bërë në jetën time ka qenë e bazuar në punë. Si lojtar, jam më afër me Cristiano-n sesa me Messin, për shkak të punës, jo për shkak të talentit. Leo është një talent i lindur, në një nivel që vetëm ai mund ta arrijë.”
Alves konfirmoi gjithashtu se është i sigurt që do sigurojë një vend në skuadrën e Tite në Kupën e Botës në Katar, pavarësisht se humbi një thirrje për ndeshjet miqësore të këtij muaji. 39-vjeçari është në prag të tejkalimit të ish-mbrojtësit të Los Blancos, Roberto Carlos, si lojtari i dytë i Brazilit me më shumë paraqitje i të gjitha kohërave, me 124, por ai nuk ka gjasa të arrijë Cafu (142).