Pritshmëria që sezonin e ardhshëm të jetë në elitën e futbollit shqiptar është shumë e madhe te Flamurtari, që të shtunën nis Kategorinë e Parë kundër Luzit në Vlorë. Pasi prekën fundin duke luajtur në Kategorinë e Dytë vlonjatët këtë verë kanë bërë një merkato masive, duke afruar emra të njohur dhe 11 lojtarë të huaj.

“Është një obligim shumë i madh për skuadrën sepse dihet objektivi që të jemi në vendin e parë dhe të ngjitemi në Superligë. Bëj edhe një thirrje që sportdashësit të kthehen në stadium dhe të na mbështesin këtë sezon,”-u shpreh Dritan Resuli, trajner i Flamurtarit.

Në ndeshjen e parë të kampionatit Flamurtari ka përballë Luzin, një skuadër me futbollistë të rinj, që objektiv ka mbijetesën.

“Jemi gati se kemi patur të gjithë kohën e mundshme në diospozicion. Ka qenë e gjatë periudha, gati 7-8 muaj, për të punuar,”-deklaroi Dritan Resuli, trajner i Flamurtarit.

Këtë verë Flamurtari miratoi fondin 1.5 milionë euro për t’u ngjitur në Superligë, ndërsa ish-futbollisti i kombëtares Alfred Ferko u afrua te vlonjatët si drejtori i ri sportiv.