Nga Ermir Gjinishi
Agresioni rus në Ukrainë ka ndikim domethënës në Lindjen e Mesme dhe vendet e Afrikës Veriore. Rajoni po përjeton trazira të shtuara si pasojë e konfliktit ruso-ukrainas. Siguria politike, ushtarake, shoqërore, të nxitura nga kriza ekonomike dhe energjitike, janë fushat ku ndikimi është më i ndjeshëm.
Kriza e grurit dhe inflacioni, kanë rritur frikën e trazirave politike në disa vende. Rreth një e treta e grurit në botë eksportohet nga Rusia dhe Ukraina, por Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut janë ndër rajonet më të prekura nga ndërprerja e këtyre eksporteve. Ato importojnë deri në 43% të grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina. Libia, Libani dhe Egjipti, janë nga importuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Egjipti importon 85% të nevojave të tij për grurë nga Rusia dhe Ukraina, ndërsa Libani, Libia, Tunizia dhe Jemeni, gjatë viteve 2018-2020 importuan 50% më shumë grurë nga dy shtetet në konflikt.
Sa i përket eksportit të misrit, nga viti 2018 deri në 2020-tën, Rusia dhe Ukraina eksportuan mesatarisht 6.5 miliardë dollarë misër në vit drejt Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Kriza e cmimeve të drithërave mund të trazojë sërish rajonin. Kështu ka ndodhur dhe më parë. Cmimet e larta të grurit dhe misrit kontribuan në “Pranverën Arabe”, konfliktet e së cilës janë ende të ndezura në Siri, Libi dhe Jemen. Kryengritja e Vllazërisë Muslimane në Egjipt, arriti të përmbys regjimin e Mubarakut me sloganin “bukë, liri dhe drejtësi sociale”. Sot inflacioni në Egjipt është 7.6%, ndërsa rritja galopante e cmimeve të produkteve të shportës e ka cuar shkallën e varfërisë në 30%.
Megjithatë, zhvillimet nuk janë simetrike. Për disa vende konflikti ka sjellë përfitime duke shtuar qindra miliarda dollarë në financat e tyre. Sipas FMN, vendet eksportuese të naftës në Lindjen e Mesme do të gjenerojnë 1.3 trilion dollarë shtesë të ardhura nga nafta në katër vitet e ardhshme. Për herë të parë që nga viti 2014, shtetet e Gjirit do të kenë suficit buxhetor. Referuar projeksioneve, rritja ekonomike pritet të përshpejtohet ndjeshëm. Ekonomia saudite këtë vit preku normën më të lartë të rrijtjes në një dekadë me 9.9%.
Lufta ka krijuar mundësi partneriteti strategjik për prodhuesit e gazit në rajon. Brenda katër viteve Katari do të sigurojë gjysmën e kapacitetit të gazit për Evropën, në mbështetje të kësaj të fundit për t’u shkëputur nga varësia e gazit rus. BE ka nënshkruar marrëveshje gazi me Egjiptin dhe Izraelin të cilët aspirojnë të jenë prodhues potencial të gazit në rajon. Ndërkaq, Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje me Francën e cila i garanton nevojat për naftë kasaj të fundit. Marrëveshje të reja energjitike janë në zhvillim e sipër, ku pritet të përfshihen Maroku dhe Algjeria.
Të zhytur në kontraste varësie dhe përfitimi, që në fillim të konfliktit u duk qartë se shumica e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, përtej dënimit të agresionit rus, do të mbanin qëndrim neutral. Reagimi i tyre ndaj luftës në Ukrainë ka qenë kryesisht i heshtur, pa entuziazëm për sanksione. Votimi në O. K.B i rezolutës për pezullimin e anëtarësimit të Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, përforcoi qartazi këtë qëndrim. Libia, ishte i vetmi vend në Lindjen e Mesme që votoi pro rezolutës, ndërsa të gjitha vendet e rajonit abstenuan ose nuk morën pjesë në seancë, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Jordania dhe Iraku, vende që shihen si aleatë të SH.B.A-ve. Sipas disa analistëve forcimi i marrëdhënieve ekonomike e ushtarake midis Rusisë me vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, janë arsyet e neutralitetit ndaj luftës në Ukrainë. Por kjo vlen të rivlerësohet në dritën e zhvillimeve dhe interesave më të gjëra.
Manovrat politike në rajon, ngjasojnë më shumë me “diplomacinë e padjeshkave”. Prezumimi i neutralitetit dhe tendencat për aleanca të reja, perceptohen si manovra diplomatike fluide, pasojë e mosbesimit. Liderët e fuqishëm rajonalë, të kritikuar ashpër nga Perëndimi, po rimarrin peshën e tyre rajonale dhe ndërkombëtare. Të ndodhur në pozita “komode” për shkak të krizës në nivel global, pozitës gjeopolitike dhe pushtetit që i jep të qenurit fuqi rajonale apo prodhues potencial energjie, disa prej tyre ngutshëm po imponojnë qasje lidershipi në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, si faktor “luajal” rajonal e global. OPEC Plus, i udhëhequr nga Arabia Saudite, vendosi të rrisë “modestisht” prodhimin e naftës. Që nënkupton mungesë gatishmërie për të kontribuar në zbutjen e krizës. Ky qëndrim në dobi të Rusisë, shkon kundër interesave të aleatëve strategjikë, dhe jo vetëm. Tendencat për të promovuar bashkëpunime gjeopolitike të reja në kohë krizash, duke sfiduar ekzistueset, mund të rezultojë fatal për shkak të mosnjohjes së interesave “të fshehura”.
Lufta i ofroi presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan pozicionin e një figure të domosdoshme jo vetëm në rajon. Ai përdori mjeshtërisht pozicionin gjeopolitik të Turqisë për të marrë koncesione nga NATO, duke kushtëzuar pranimin e Finlandës dhe Suedisë. Erdogan ruan marrëdhënie miqësore me Rusinë, ndërkohë që ka kundërshtuar luftën. Shitja e dronëve turk Ukrainës nuk e ka dëmtuar rolin ndërmjetësues të Turqisë mes palëve ndërluftuese.
Në vijim të kësaj fryme, këshilltari diplomatik i Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe Anwar Gargash shkon më tej kur shprehet se dominimi perëndimor i rendit botëror është në ditët e fundit dhe se Abu Dhabi po rivlerëson aleancat e tij. “Carja” mes aleatëve vjen në gojën e ambasadorit të Emirateve në SHBA i cili në prill të këtij viti pranoi se marrëdhëniet me Uashingtonin po kalonin një “provë qëndrueshmërie”, pasi Emiratet e Bashkuara Arabe iu bashkuan Indisë dhe Kinës në abstenimin nga votimi për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte agresionin rus.
Në relievin e rivlerësimit të marrëdhënieve me Perëndimin, duket se marrëdhëniet me Kinën po rriten jo vetëm ekonomikisht. Muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe e cilësuan vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve Nancy Pelosi në Tajvan si “provokuese”, duke theksuar mbështetjen e tyre për politikën e “një Kine”. Arabia Saudite gjithashtu e sheh Kinën si një alternativë shumëdimensionale. Përvec rritjes së bashkëpunimit ushtarak, ajo po konsideron t’i shesë Pekinit naftë në juan, duke i dhënë “shuplakë” dollarit në tregtinë ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, presidenti Xi Jinping, pritet të bëjë një udhëtim historik në mbretëri këtë vit.
Sa mund të ndikojnë tendenca të tilla në formulimin e politikës së jashtme për vendet e rajonit? Vërtet vitet e fundit aleatët tradicionalë të SHBA-ve në Lindjen e Mesme janë përpjekur të diversifikojnë marrëdhëniet e tyre me vende të tjera, përfshirë Rusinë, por shumica e analizave e konsiderojnë këtë diversifikim politik si mënyrë për ti dërguar një mesazh administratës së presidentit Joe Biden për të kuptuar çmimin e anësimit në këtë konflikt. Por nëse lufta dhe pasojat e saj vazhdojnë, atëherë do të jetë e vështirë për të mbajtur këtë pozicion.
Në prag të aleancave të reja apo rikonsolidim të atyre ekzistuese?
E ndërsa shumica e shteteve në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës veriore kanë marrëdhënie shumë më të forta me Shtetet e Bashkuara, Rusia po bëhet një partner gjithnjë e më i rëndësishëm ekonomik dhe ushtarak. Raportet midis Egjiptit dhe Rusisë me forcimin e marrëdhenieve ekonomike, ushtarake, projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor në veriperëndim të vendit, u janë shtuar dhe konvergjencat e politikave të dy vendeve në rajon, kryesisht në Siri dhe Libi. Deri tani, ato nuk e kanë dëmtuar partneritetin strategjik të Egjiptit me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Aftësia e qeverisë egjiptiane për të manovruar mes dy palëve, ka të ngjarë të zvogëlohet në rast përshkallëzimi të konfliktit.
Në Libi, kriza e Ukrainës përvec aspektit humanitar, ka ndikime gjeostrategjike e politike. Në këtë kohë krize grupet pro-Hafter, me mbylljen e pikave te eksportit, po e përdorin naftën si armë në duart e tyre, në dobi të Rusisë. Mercenarët rusë te Wagner-it, me mbeshtetjen e milicisë së Khalifa Haftar në lindje të vendit dhe qindra këshilltarë turq dhe mijëra mercenarë sirianë të mbështetur nga Turqia në Libinë perëndimore, kanë bërë që vendi të ndahet në dy pjesë. Koordinimi ruso-turk në Libi ishte një nga faktorët që pengoi një raund tjetër luftimesh midis fraksioneve libiane në të gjithë vendin. Ky koordinim ka të ngjarë të jetë afat të shkurtër, pasi manovrat politike të Moskës dhe Ankarasë fshehin interesat e tyre ekonomike dhe politike në Libi. Realiteti i situatës i ofron Rusisë ndikim strategjik në krahun jugor të NATO-s, mundësinë e kontrollit të prodhimit të naftës dhe shtrirjen në vijë bregdetare të Mesdheut.
Maroku pohoi integritetin territorial të Ukrainës, por po punon për të forcuar marrëdhëniet strategjike veçanërisht me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Pavarësisht gjuhës diplomatike neutrale, konflikti me Algjerinë ka bërë që të dy vendet të synojnë aleatë “kundërshtarë”.
Ndërkohë Siria, aleati më i ngushtë i Rusisë në rajon, ishte vendi i parë që njohu Republikat e Donetskut dhe Luhanskut. Asadi e ka të qartë se ekzistenca e tij varet nga aleanca me Rusinë dhe Iranin, por dhe nga marrëdhëniet ruso-iraniane, të cilat nuk janë të qëndrueshme. Kremlini po ndërhyn gjithnjë e më shumë në rajon duke mbrojtur regjimin e Asadit dhe aleancat e tij rajonale. Konflikti midis Ankarasë dhe Damaskut në kufirin turko-sirian ka hyrë në një fazë stanjacioni. Prania ushtarake ruse në bazën ajrore të Hmeimit në Siri, me vendndodhje pranë projekteve të gazit në Mesdheun lindor, në kontakt të drejtpërdrejtë me vendet e rajonit, duke përfshirë shtetet Arabe të Gjirit, Egjiptin, Izraelin dhe Turqinë, ka karakter shumë strategjik. Ajo i lejon Rusisë të ushtrojë ndikim jashtë ish-republikave sovjetike, në përpjekje për të kapërcyer izolimin nga komuniteti ndërkombëtar. Megjithatë, protestat e solidaritetit me Ukrainën në zonat që kontrollon opozita siriane apo ato pro-ruse të organizuara nga milicitë pro-iraniane në Irak, Jemen dhe Liban, nuk janë aspak përfaqësuese të prirjeve në Lindjen e Mesme. Për opinionin publik atje, siguria ushqimore dhe rekrutimi i mercenarëve në rajon janë çështje më të rëndësishme. Influenca iraniane dominon në këto shtete.
Është e vërtetë që palestinezët u identifikuan natyrshëm me ukrainasit, por ata “heshturazi” e konsiderojnë shpejtësinë e kundërpërgjigjes së komuniteti ndërkombëtar ndaj agresionit rus, si standart të dyfishtë. Kundërshtimi nga SHBA-të i fushatave të bojkotit nga shoqëria civile në mbështetje të të drejtave palestineze, lehtësimet tatimore OJQ-ve që u bëjnë presion palestinezëve të tërhiqen nga përpjekjet për ndjekjen penale të izraelitëve të dyshuar për krime lufte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, apo miratimi i një përkufizimi të ri mbi antisemitizmin që i konsideron kritikat e politikave izraelite si formë e gjuhës së urrejtjes, ka rritur kredencialet e Hamasit dhe Xhihadit Islamik në popull. Kjo nënkupton, zvogëlimin e reputacionit të Fatahut dhe mundësi më të mëdha aleancash me Rusinë dhe Iranin të dy fraksioneve të tjera.
Turqia, me gjithë mbështetjen e saj ushtarake për Ukrainën, e kujdesshme për hapjen e zonave shtesë për konfrontim me Rusinë, së fundmi ka marrë pozicionin e ndërmjetësit mes palëve. Me gjithë suksesin relativ të deritanishëm, në terma afat-shkurtër dhe afat-mesëm, raportet ruso-turke përballen me një provë të vështirë në Libi, Detin e zi dhe Siri.
Teherani, po përjeton një periudhë të gjatë izolimi. Izolimi i Iranit është i dobishëm për Moskën në aspektin rajonal dhe global. Putini e ka të qartë se nënshkrimi marrëveshjes bërthamore i jep fund embargos ndaj naftës iraniane, zbut pasojat financiare globale dhe e afron atë me Perëndimin. Për Moskën, një Iran me orientim perëndimor konsiderohet më i rezikshem se një Iran i armatosur bërthamor. Izolimi dhe pakënaqësia e të dy vendeve ndaj Perëndimit, mund të cojë nga tejlalimi i mosbesimit dypalësh, në forcimin e aleancës mes tyre. Kjo nënkupton, rritjen e destabilitetit në Lindjen e Mesme dhe më tej, me prezencë të shtuar iraniane dhe mbeshtetje të milicive lokale shi’ite kryesisht në Liban, Irak, Siri dhe Jemen.
Dy ishin arsyet kryesore të hezitimit të Izraelit për të dënuar sulmin rus në Ukrainë. Shmangia e zemërimit të Putinit, i cili mund të kufizojë ndërhyrjet ushtarake izraelite kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Siri e Liban, si dhe shqetësimi për sigurinë dhe mirëqenien e 150,000 hebrenjve në Rusi. Në përgjigje të presionit të shtuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli denoncoi agresionin rus, ndaloi fluturimet e oligarkëve rusë drejt Izraelit, por refuzoi kërkesën e Ukrainës për armë. Izraeli e ka të qartë se Rusia në përpjekje për të rivendosur respektin në rendin ndërkombëtar, mund të kundërshtoi politikat e SHBA-ve dhe të përmbysë ekuilibrat në konfliktin izraelito-palestinez. Format hezituese në reagimet izraelite, tregojnë nivelin delikat të ruajtjes së ekuilibrave.
Cfarë qëndrimi ka opinioni i përgjithëm në rajon?
Sondazhet e opinionit publik tregojnë se banorët besojnë se rajoni ka qenë subjekt i konkurrencës ruso-amerikane për shumë vite. Sipas “Indeksit Arab”2019-2020, 58 % e tyre kanë pikëpamje negative për politikën e jashtme të SHBA-së. Kjo shifër ishte 41% kur ishte fjala për politikën e jashtme të Rusisë. Megjithatë, ajo që bie në sy është se 57% e të anketuarve theksojnë se papunësia, inflacioni, varfëria, mungesa e stabilitetit politik, janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen. Por një studim i kohëve të fundit tregon se shirat kanë propabilitet rritje në favor të Rusisë.
Cfarë fshihet pas këtyre shifrave?
60% e popullsisë së rajonit është nën 25 vjeç dhe përdorin rrjetet sociale. Informacioni për konfliktin ukrainas vjen kryesisht nga kanalet arabo-folëse të lidhura me Rusinë. Platforma të tilla online ushqejnë rregullisht ndjenja anti-perëndimore. Metodat e përdorura janë zhvendosja e debatit nga lufta në Ukrainë, publikimi i deklaratave për standardet e dyfishta të Perëndimit, shkrime për kolonializmin dhe krahasimi i situatës aktuale me luftërat e kaluara në Lindjen e Mesme. Kundër-narrativat perëndimore në arabisht, nuk kanë aq ndikim krahasuar me ato ruse. Kështu që, pikëpamja se Rusia po lufton Perëndimin në emër të të gjithë atyre që nuk i pëlqejnë Shtetet e Bashkuara, vetëm është përforcuar.
Në nivelin politik, kriza ende nuk ka çuar në zhvendosje gjeopolitike. Shumica e shteteve të rajonit, përfshirë dhe Izraelin, po mundohen të ruajnë ekuilibrat midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në funksion të maksimizimit të interesave. Me trendin e deritanishëm, makinacionet ruso-iraniane mund të japin efektin e kundërt. Forcimin e aleancave të vjetra ekzistuese.