Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, ndërsa në pranga ka rënë një 35-vjeçar, Xhelson Jaho.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Botë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Frequently”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Xhelson Jaho 35 vjeç, banues në Gramsh.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në aksin rrugor Çukë – Sarandë, duke transportuar me një mjet tip furgon, 17 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.