Ka nisur në Tiranë Festivali Digjital Nomad, një event 3-ditor që do të bëjë bashkë ekspertë digjitalë nga vende të ndryshme të botës për të ndarë përvojat e tyre.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh i lumtur që kryeqyteti shqiptar më në fund po bën një kapërcim të madh drejt teknologjisë dhe novacionit.

“Unë besoj ndonjëherë që vendet që punojnë nën trysni prodhojnë gjithnjë ide inovatore sesi mund të ecet përpara dhe sesi mund të mbijetohet. Ne jemi survivors, jemi mbijetues nga e kaluara. Dhe sot vendi që ishte Koreja e Veriut, një Phiong Jangu i asaj periudhe, krejt papritur sot po kthehet në një nga vendet më të hapura”- u shpreh Veliaj.

Në vitin si Kryeqyteti Europian i Rinisë, në Tirana ka organizuar mbi 1000 evente të mëdha.

“Tirana ka pasur 1000 aktivitete këtë vit. Festivali Sunny Hill i Dua Lipës, Rita Orës që sapo u largua. Sot po flisnim me “Three Doors Down”. Këtu kishim pak më parë Conference League të UEFA-s. Kur pamë që në Sevilje njerëzit nuk kishin ujë për të pirë, kurse në Paris 15 mijë huliganë hyjnë pa bileta, i thash vetes: Ne nuk jemi aq keq. Ne thjesht duhet të kemi pak vetëbesim. Së pari, të mos shajmë veten tonë dhe të jemi ne agjentë marketingu të Shqipërisë, të Tiranës. Po nuk fole mirë ti për gjënë tënde, kush do flasë? Së dyti, të rekrutojmë gjithë këtë skuadër këtu, qartazi, me njerëz që e dinë si bëhet kjo punë dhe që mund të jenë pjesë e një kori avokatie për Shqipërinë dhe për Tiranën”- tha Veliaj.Veliaj tha se epiqendra e këtij transformimi ndodhet sot si një monument i gjallë në qendër të kryeqytetit shqiptar, Piramida që sot po shndërrohet në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan.

“Vetëm fakti që ne Piramidën, që është ndoshta metafora më e bukur e transformimit të Shqipërisë, – po e kalojmë nga një mauzoleum i diktatorit, në qendrën më të madhe të IT-së, teknologjisë së informacionit, kodimit, elektronikës, robotikës, unë besoj që vetëm historia e asaj ndërtese, tregon tranzicionin më mirë se kushdo, pra pika ku ne kthejmë dhe ku realisht nisim një trend të një Tirane që nuk ndalet, për të qenë ndoshta jo një qytet “i ri-i vjetër”, por një qytet autentik me dramë, që s’na mungon, por edhe me shumë informacion që padyshim është pjesë e fermentit tonë”- shtoi kryebashkiaku.