Ishte fundi i ndeshjes mes Adana Demirsporit dhe Umranijespor, ku Vinçenco Montela dhe Mario Baloteli filluan të konfrontoheshin fizikisht.
Sfida përfundoi me rezultatin 1-0 për ekipin e dy protagonistëve që në vërshëllimën e trefishtë, filluan “xixat” duke u përplasur dhe duke rikthyer sërish në mendje përplasjen e famshme mes Balotelit dhe Mançinin, ku së bashku ishin pjesë në atë kohë me Mançester Sitin.
Së fundmi ka reaguar vetë, Vinçenco Montela për largimin e Mario Balotelit nga Turqia për tu transferuar në Zvicër me fanellën e Sionit.
Ish-trajneri i Milanit, ka postuar një mesazh në profilin e tij të rrjetit social “Instagram” për sulmuesin italian, duke i uruar fat dhe se do ta ndjekë gjithmonë nga larg:
“I dashur Mario, të uroj një ngritje tjetër në këtë fazë të re të karrierës. Mos harro se ke gjithçka për të ‘fluturuar’ sërish. Një diskutim mes meshkujve nuk e fshin ndjenjën tonë dhe kënaqësitë që përjetuam së bashku te Adana Demirspor.
Do të të ndjek nga larg, bëj sa më shumë gola, asistime, goditje gjeniale… Trego kush je. Një përqafim nga trajneri yt!”, ishte mesazhi i Vinçenco Montelës.