Real Madrid, kampioni në fuqi i Europës dhe Spanjës, është i vetmi ekip në kontinentin e vjetër, që ka fituar të gjithë ndeshjet e sezonit të ri. Në sfidën e fundit në La Liga ‘galaktikët’ përmbysën 4-1 Mallorca-n, duke marrë 3 pikëshin e 5 radhazi. Në ‘Bernabeu’ miqtë kaluan të parët në avantazh me ish-sulmuesin e Superligës shqiptare Vedat Muriqi, pjesë e përfaqësues së Kosovës, i cili realizoi me kokë.
Më pas Real Madrid nisi spektaklin, me Valverden i cili falë një inkursioni magjepsës nga mesi i fushës barazoi shifrat. Pastaj me rradhë Vinicius Junior, Rodrygo dhe Rudiger vulosën fitoren.
Ndërkohë në sfidat e tjera Betis mori tre pikët falë një goli të realizuar nga Rodri kundër Villareal. Getafe mposhti 2-1 Real Sociedad, ndërsa Atletic Bilbao fitoi 1-4 kundër Elche-s. Golat për baskët u realizuan nga Sancet, Williams, Berenguer dhe Marcau autogol.
Pas 5 javësh Real Madrid udhëheq La Liga-n me 15 pikë, ndjek Barcelona me 2 pikë më pak, ndërsa Betis dhe Villareal plotësojnë katër vendet e para.