Kriza energjitike po mban në korrent Europën e madje edhe vendet e saj të pasura. Shumë prej tyre kanë nisur të marrin masa konkrete për të lehtësuar gjendjen e qytetarëve, siç është Gjermania. Më hollësisht për masat e zbatuara atje flet gazetarja e “Deutsche Welle” që raporton situatën për “Aldo Morning Show” në Tv Klan.
“Gjermania do të marrë masat lehtësuese për krizën. 65 miliardë Euro është kjo paketa e masave të fundit. Kjo nuk përfshin vetëm qytetarët, përfshin edhe sipërmarrjet. Në Gjermani do të ketë ndihma për studentët, 200 Euro, pensionistët 300 Euro për energjinë, do të rritet kuota mujore për fëmijën me 18 Euro në muaj. Personat që marrin ndihmë sociale për banimin në Gjermani që kanë qenë 640 mijë vetë, kjo shifër do të zgjerohet në 2 milionë vetë”.Teksa shteti bën detyrën e tij për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, edhe vetë ata janë ndërgjegjësuar për gjendjen ekonomike e energjitike dhe kanë ndërmarrë masat e tyre.
“Në Gjermani është vënë re në këto muajt e fundit, sidomos pas luftës në Ukrainë, është ulur ndjeshëm konsumi, gjermanët, rreth 70%, në një anketë që është bërë thonë se po fillojnë të reduktojnë shpenzimet e energjisë, kanë reduktuar te pushimet këtë vit, kanë filluar të kursejnë te aktivitetet, nuk shkojnë më shpesh në restorant e kinema. Gjithkund përpiqet një gjendje e kursimit të përgjithshëm, por sidomos te energjia sepse çmimet janë në stratosferë sepse gazi është rritur 3-fish më shumë dhe një familje në Gjermani duhet të llogarisë deri në 3000 Euro shifër më të lartë për të paguar gazin në vit”.