Për herë të parë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndan me publikun një pjesë të jetës së saj private.
Në një rrëfim për fëmijërinë, familjen, shkollimin në Itali, martesën, ndalet edhe te humbja e njeriut të zemrës.
Ajo e ka qujatur këtë rrugëtim një luftë të gjatë për të gjetur ekuilibrin, teksa vështirësia rritej çdo ditë dhe e keqja ndodhej gjithnjë aty, por jo në mendjen e saj.
Ja çfarë thotë ajo për ndarjen nga jeta e bashkëshortit, pas një sëmundje të rëndë.
Elva Margariti: Ishte një periudhë e gjatë sfide dhe ishte po njësoj një luftë nga njëra anë me një sëmundje, pastaj edhe një e përditshme me punën, domethënë ishin shumë gjëra bashkë. Në njëfarë mënyre, sepse ma pyesin këtë, si ishte të vazhdoje punën?
Mendoj që fillon bëhesh më konkret dhe kupton cilat janë vështirësitë e vërteta dhe vështirësitë e mëdha të punës fillon bëhesh më i ftohtë për të thënë që kjo nuk është jetike, vërtet është situatë e vështirë në punë, por nuk është jetike, problemet janë të tjerat.
Gjithmonë duhet të gjesh një ekuilibër midis gjithë gjërave që shkojnë përpara dhe familjes që jeton në këtë vuajtje.
Ka qenë një sëmundje që ka zgjatur dhe që ka ndikuar në jetën tuaj në njëfarë forme dhe keni luftuar gjatë gjithë kohës, ndërkohë që me vajzën duhej të flitej.
Po, atë e kemi përfshirë pothuajse që në fillim sepse siç thashë ishte diçka që duhej të merrej gradualisht kjo beteja, nuk mund të ishte një gjë që mund ta mbaje mënjanë dhe nëse do ndodhte më e keqja do vinte krejt papritur, nuk do ishte krejt normale.
A e mendove më të keqen në fillim?
Jo.
Ishte një gjë që gjithmonë vjen si papritur, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë. Ke pishmane?
Pishmane kush nuk ka, të gjithë kanë, por në çdo moment, një gjë që ndodh keq e ka një arsye, mëson nga ajo dhe me kalimin e kohës e mbart vetë në vetvete. Them që do ishte e kotë të thuash sikur të kthehesha pas, është shprehje e kotë.
Do kishe dashur të thoje diçka? Ke menduar “pse nuk ia thashë?”
Ndoshta.
Si u njohët me bashkëshortin?
Ne jemi njohur që në Tiranë në fakt, megjithëse vërtet kemi filluar të frekuentoheshim kur kemi shkuar në Itali. Ai ishte kushëriri i shoqes time të ngushtë, jetonte edhe ai në Itali dhe filluam të frekuentoheshim, kur unë shkova në Itali ishte një gjë rastësore që erdhi pastaj me kohën, por ndërkohë ishim njohur që më përpara me familjet.
I bëtë të gjitha me etapa, i dogjët?
I dogjëm të gjitha.
Edhe shaminë?
Jo, jo dogjëm etapat, shaminë nuk e dogjëm asnjëherë. Unë nuk jam martuar me dasmë të vërtetë, me dasmë shqiptare.
Je penduar që s’ke veshur fustanin e bardhë?
Jo, them që do ketë pasur ndonjë arsye sepse nuk e kam përfytyruar ndonjëherë veten me fustan të bardhë.
Asnjëherë?
Jo, e di sa herë ia thoja edhe shoqeve të mia këtë gjë, habiteshin, por s’e kam menduar ndonjëherë se cili mund të ishte modeli i fustanit të bardhë që mund të më shkonte. Përveç vendit që gjithmonë thoshim që nëse një ditë do të bëjmë një festë për të celebruar dashurinë me njerëzit që duam, duhet të ishte në një anije dhe në një udhëtim.