Fati i Thomas Tuchel shqetëson jo pak edhe homologët e tij. Champions League është një turne ku nuk lejohen hapa fals, nuk ka kohë për të rikuperuar, për këtë arsye kërkohet gjithnjë maksimumi. Simone Inzaghi është në pozita të ngjashme, sigurisht e ardhmja e tij nuk është e varur nga sfida kundër Bayern Munich, por Interi i tij është në një pozitë të ngjashme me atë të Chelsea.
Pas një fillim sezoni me ulje ngritje në Serie A, mbi të gjitha humbja e fundit në derbi kundër Milan, e bën sfidën kundër Bayern shumë të rëndësishme. Në “San Siro” kërkohet me çdo kusht një paraqitje pozitive, Inzaghi dhe të besuarit e tij nuk kanë fituar kundër Bayern në stadiumin e tyre, mbase nuk është kjo mbrëmja ideale për ta bërë diçka të tillë, por Inter duhet me patjetër të shfaq “shenja jete” për të marrë një shtysë të rëndësishme për vijimin e sezonit.
Inzaghi ka jo pak dilema për këtë sfidë duke nisur nga porta, Onana ka fituar jo pak pikë pas paraqitjes së fundit të Handanovic. Nuk përjashtohet as një xhiro pushim për De Vrij dhe Barella.
Nëse Inter kërkon të ringrihet, Napoli kërkon të konfirmohet. Blutë e Spallettit po kalojnë një moment të mirë në Serie A, përballë Liverpool dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë moment për të marrë një rezultat të mirë përballë të kuqve. Kjo do të ishte e rëndësishme jo vetëm për ecurinë në Champions, pasi është sfida e parë kundër rivalit më të madh, por në të njëjtën kohë do të kishte një impakt pozitive edhe në Serie A.