Europianët presin më frikë dimrin por i ftohti mund të mos jetë e vetmja ‘e keqe’ që i kanoset. Lufta në Ukrainë duket se ka shkundur gati të gjitha sistemet tona jetike dhe efekti i saj zinxhir po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Dimri në Evropë po afrohet me shpejtësi dhe dukej sikur deri tani i vetmi problem për europianët do të ishte mungesa e energjisë e cila do t’i dërgonte detyrimisht drejt një dimri të ftohtë e të acartë. Por kriza energjetike nuk është e vetmja ‘e zezë’ që i kanoset europianëve.
Gjëja e parë që kërcënon të bëjë kriza e energjisë është të gjymtojë jetën e përditshme dhe të prishë funksionimin normal të shërbimeve jetike për qytetarët. Një nga këto shërbime jetike janë edhe rrjetet e komunikimit – të cilat bashkë me rrjetet elektrike mund të përballen me ndërprerje këtë dimër. Kjo do të thotë se linjat e telekomunikacionit në të gjithë Evropën mund të pësojnë ndërprerje të rënda në muajt në vazhdim. Në thelb, kjo tregon se evropianët mund të mos jenë në gjendje të flasin në telefon apo të përdorin internetin duke u shkëputur efektivisht nga pjesa tjetër e botës. Një krizë digjitale duket më e mundshme se kurrë tashmë për Europën. Ndërprerja e komunikimit në Evropë. Një raport i fundit nga agjencia mediatike Reuters citoi ekzekutivë të lartë nga katër Telecom-e, duke thënë se ata shqetësohen se ka një mungesë të sistemeve rezervë në shumë nga shtetet evropiane – sisteme të cilat janë të nevojshme për të trajtuar ndërprerjet masive ose të papritura të energjisë. Vende si Gjermania, Franca dhe Italia kanë e shtypur tashmë ‘butonin e panikut’ dhe janë në bisedime të vazhdueshme me operatorët e tyre të Telekomit.
Evropa ka gati gjysmë milioni kulla telekomunikacioni dhe shumica e tyre kanë bateri rezervë që zgjasin vetëm rreth 30 minuta. Ekspertët shqetësohen se kjo mund të mos jetë e mjaftueshme. Jo vetëm kjo, por një ndërprerje e rrjetit do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në shërbime jetike si spitalet apo edhe ushtria. Sipas raportit të Reuters, në Francë një plan i paraqitur nga shpërndarësi i energjisë elektrike ENEDIS përfshin ndërprerje të mundshme të energjisë deri në 2 orë në skenarin më të keq. Edhe në Itali, ku racionimi i energjisë ka nisur si pjesë e planit të tyre të emergjencës, operatorët thonë se telashe të mëdha janë në horizont. Shefi i lobimit të Telekomit italian, Massimo Sarmi ka thënë se: “Ndërprerjet e energjisë rrisin probabilitetin e dështimit total të komponentëve elektronikë nëse ato i nënshtrohen ndërprerjeve të shpeshta dhe të menjëhershme.” Në Gjermani, Deutsche Telecom ka 33.000 site radio-mobile dhe sistemet e tyre të urgjencës mund të mbështesin vetëm një numër të vogël të tyre në të njëjtën kohë, ka konfirmuar një zëdhënës i kompanisë.
Këto ishin vetëm tre shembuj por në realitet, shumica e vendeve evropiane duket se mund të përballen me një skenar të ngjashëm. Mungesa e energjisë së mjaftueshme tani mund të çojë në shkëputjen e rrjeteve telefonike dhe të internetit. Me fjalë më të thjeshta, kjo është një krizë e cila rrezikon të na ndërpresë komunikimin me njëri-tjetrin dhe botën. Dhe më shqetësuesja është se kjo nuk na prek vetëm në një nivel personal, ku mund të mos flasim dot me miqtë tanë por sisteme dhe infrastruktura të tëra që janë të varura nga rrjeti i telekomit mund të preken, duke nisur nga institucionet shtetërore tek shërbimet publike apo ato të emergjencës. Në këtë pikë duket se qindra europianë janë të shqetësuar e të alarmuar deri në një pikë ku e vetmja zgjidhje që kanë gjetur është të dalin në protesta në qytete të ndryshme të Europës duke kërkuar që liderat e tyre të bëjnë diçka ose të paktën të adresojnë problemin. Mbetet për t’u parë nëse dimri europian do të sjellë me vete vetëm temperaturat e ulëta apo edhe këtë barrë të rëndë e cila do të bie mbi qytetarët e thjeshtë më shumë se kushdo tjetër.