Max Allegri po pret t’i rikthehen lojtarët e dëmtuar për të rikthyer Juventusin te rezultatet pozitive, teksa drejtuesit e klubit italian po mendojnë edhe në lidhje me merkaton. Një nga dëshirat e verës së ardhshme quhet Marko Asensio. Sulmuesi i djathtë ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Realin e Madridit. Rinovim nuk do të ketë dhe 26-vjeçari do të largohet me parametra zero në fund të sezonit. Te Juventusi e pëlqejnë shumë, por duhet t’i ofrojnë lojtarit spanjoll një pagë tunduese, pasi në garë për shërbimet e tij ndodhet edhe Barcelona. Ndërkohë, Paul Pogba, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar, i është rikthyer vendimit të verës së kaluar për t’u rikthyer te Juventusi pas aventurës jo pozitive te Manchester United.
“Më pëlqen të mendoj dhe të them që rikthimi te Juventusi ishte një zgjedhje zemre, ishte koha e duhur për t’u rikthyer në Torino. 3 vitet e fundit në Manchester, që u karakterizuan nga dëmtimet, nuk shkuan ashtu siç doja. Duke marrë parasysh edhe faktin që Juventusi vinte nga dy vite pa titullin kampion, ishte një sfidë e madhe për të dy palët. Ndoshta ishte momenti i duhur të bëheshim sërish bashkë për të provuar rikthimin te fitimi i trofeve”, deklaroi Pogba.