I transferuar në vitin 2009 së bashku me Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo, Ricardo Kaka ishte pjesë e një prej merkatove më të bujshme të Real Madrid. Braziliani ishte në kulmin e karrierës dhe presidenti Florentino Perez nuk i rezistoi tundimit për ta transferuar nga Milani për shumën e 67 milionë eurove. Megjithatë, ndryshe nga Ronaldo apo Benzema që ende është pjesë e Real, braziliani nuk ia doli kurrë të shndërrohej në një lojtar të rëndësishëm për spanjollët, i penalizuar edhe nga problemet fizike që detyruan trajnerin Jose Mourinho ta “paketonte” në stol. Katër vite të vështira për Kaka që më pas u rikthye te Milan, ndërsa tashmë që i ka dhënë fund me futbolliin, 40-vjeçari në një intervistë për Marca, nuk e ka problem ta pranojë se dita kur u largua nga Reali ishte më e lumtura në të gjithë aventurën madrilene. Nga ana tjetër, pavarësisht diferencave, ish-fantazisti thekson se ai asnjëherë nuk do të flasë keq për presidentin Perez dhe trajnerin Mourinho.
“Ndoshta mund të duket e çuditshme por dita më e lumtur te Real Madrid, ishte dita kur u largova prej andej. Bisedova me presidentin Perez dhe ai më tha se unë isha një profesionist që punonte në të mirë të skuadrës, por dëmtimet më kishin penalizuar dhe isha duke u aktivizuar pak nga trajneri. Unë isha i lumtur sepse ndjeja që kisha sërish një mundësi për t’u rikthyer në nivel të lartë, por dua të theksoj se asnjëherë nuk do të më dëgjoni duke folur keq për Perez apo Mourinhon”, shprehet Kaka. Në fund, braziliani heq presionin e nga “shpatullat” e Neymar për Kupën e Botës në Katar, duke shtuar se kombëtarja “Selecao” tashmë ka edhe yje të tjerë si Vinicius Junior apo Antony.
“Patjetër që Neymar do të jetë lideri i Brazilit në Botëror, por është e rëndësishme edhe fakti që përkrah tij është një si Vinicius Junior. Në vitin 2018, Neymar ishte i vetëm, por tashmë është Vinicius, Raphinha apo Antony.