Kriza energjetike që po kaplon kontinentin evropian ndërsa dimri po afron ka detyruar Francën që të shtojë importet nga Katari. Në diskutime është edhe Gjermania e cila mund të goditet më rëndë se çdo vend tjetër i BE-së për shkak të varësisë të gazit rus në të shkuarën. Kompania energjetike franceze ka nënshkruar një investim prej 1,5 miliardë dollarësh për prodhimin e gazit natyror me Katarin ndërsa edhe vendet e tjera të BE-së po përpiqen të gjejnë burime alternative të energjisë për të zëvendësuar furnizimet ruse. Sipas ministrit të Energjisë së Katarit, gjiganti francez i energjisë do të ketë mbi 37% të aksioneve në projektin e gazit nga radhët e investitorëve ndërkombëtare.
“TotalEnergies do të ketë një interes efektiv neto të pjesëmarrjes prej 9,375% në projektin Veriu Fusha Jugu nga një total prej 25%, që kanë në dispozicion partnerët ndërkombëtarë”. Kreu i energjetikës së Katarit tha se shteti i tij është duke biseduar me blerësit qoftë në Evropë apo në Azi me qëllim zgjerimin e kontratave tregtare të lëndës djegëse. Edhe Gjermania po kërkon zëvendësimin e gazit rus pas pezullimit të gazsjellësit Nord Stream 2 dhe vonesave të Moskës përmes Nord Stream 1 nga Gazprom. Kompanitë gjermane janë afër finalizimit të një marrëveshjeje për të marrë gaz nga Katari.