Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se bota “duhet të ndalojë Rusinë para se të jetë shumë vonë”. Këtë deklaratë, Zelensky e bëri më 19 shtator, pasi Ukraina akuzoi forcat ruse se gjatë natës sulmuan me raketë një tjetër central bërthamor në jug të vendit.Në Telegram, Zelensky tha se “raketa ra 300 metra larg centralit bërthamor të Pivdenoukrainskit”, që gjendet në rajonin e Mikolajivit. Sipas tij, pas granatimit ka pasur “një ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike” në këtë central.Presidenti ukrainas tha se xhamat e centralit janë dëmtuar dhe sugjeroi se “pushtuesit dëshironin të kryenin edhe një sulm, por harruan se për çfarë centrali bërthamor bëhej fjalë”.

“Rusia po rrezikon të gjithë botën. Ne duhet ta ndalojmë atë para se të jetë shumë vonë”, tha ai.