Partizani luan sot ndaj Orikut, por padyshim që kjo ndeshje nuk e largon fikusin e trajnerit nga derbi i së dielës ndaj Tiranës në “Air Albania”, sfida më e rëndësishme deri më tani. Duke u nisur nga ky fakt, pritet që sot ndaj Orikut, Kolela të luajë me lojtarët, që nuk kanë qenë titullarë fiks në 5 javët e para të Superiores.
Emra si Bitri, Rrapaj, Buxhelaj, Cara, Skuka e të tjerë do të kursehen për këtë sfidë, për t’u lënë vendin rezervave, që kanë shumë cilësi, pasi duhet thënë se Partizani në këtë sezon ka një stol mjaft të bollshëm. Një risi pritet të jetë edhe Alban Hoxha, i cili nuk ka luajtur ende në këtë sezon. Kapiteni ia ka lënë stafetën Rexhepit në kampionat, por pritet që Kolela t’i besojë atij sot dhe në ndeshjet e tjera të Kupës.
Përtej faktit që do të bëjë rrotacion, skuadra e kuqe është padyshim favorite ndaj Orikut të sapongjitur në Kategorinë e Parë, që më shumë është përqendruar të mbijetojë në të Parën dhe sot do të luajë me rezervat ndaj Partizanit, që nuk pritet ta diskutojë kualifikimin në këtë raund.Ndeshja e kthimit do të luhet më datë 12 tetor në Orikum.