Analiza për BBC nga Steve Rosenberg
Normalisht mund të presësh që programi kryesor javor i lajmeve i televizionit shtetëror rus të trumbetojë sukseset e Kremlinit.
Por edicioni i së dielës u hap me një pranim të rrallë.
“Në vijën e parë të operacionit special në Ukrainë, kjo ka qenë java më e vështirë deri më tani”, deklaroi spikeri Dmitry Kiselev.
Më pas vazhdoi: “Ishte veçanërisht e vështirë përgjatë frontit në Kharkiv, ku pas një sulmi nga forcat armike që ishin më të mëdha se tonat, trupat ruse u detyruan të largoheshin nga qytetet që kishin çliruar më parë.”
Moska i pushtoi ato zona muaj më parë, por pas një kundër-ofensivë të rrufeshme nga ushtria ukrainase, trupat ruse ka humbur një territor të konsiderueshëm në veri-lindje të vendit.
Megjithatë, media shtetërore ruse raporton se ajo që ndodhi në rajonin e Kharkiv nuk është “tërheqje”.
“Ministria ruse e mbrojtjes hodhi poshtë thashethemet se trupat ruse u larguan të turpëruar nga Balakliya, Kupiansk dhe Izyum”, u raportua në gazetën qeveritare, Rossiyskaya Gazeta. “Ata nuk ikën. Ky ishte një rigrupim i planifikuar paraprakisht.”
Në tabloidin Moskovsky Komsomolets, një analist ushtarak ka një pikëpamje të ndryshme: “Tashmë është e qartë se ne e nënvlerësuam armikun. Forcave ruse iu desh shumë kohë për të reaguar dhe kolapsi erdhi… Si rezultat, ne pësuam një disfatë dhe u përpoqëm të minimizonim humbje duke tërhequr trupat tona në mënyrë që ata të mos kapeshin”.
Kjo “disfatë” ka nxitur zemërim në kanalet pro-ruse të mediave sociale dhe në mesin e blogerëve “patriotë” rusë, të cilët kanë akuzuar ushtrinë e tyre për gabime.
Mes tyre edhe lideri i fuqishëm i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov.
“Nëse sot ose nesër nuk bëhen ndryshime në strategji,” paralajmëroi Kadyrov, “do të detyrohem të flas me udhëheqjen e ministrisë së mbrojtjes dhe udhëheqjen e vendit për t’u shpjeguar atyre situatën reale në terren. Është një situatë shumë interesante. Është befasuese.”
Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës. Në ditët që pasuan, mbaj mend politikanë, komentues dhe analistë rusë në TV këtu që parashikonin se ai që Kremlini tha se “operacioni i tij special ushtarak” do të përfundonte brenda disa ditësh; se populli ukrainas do t’i përshëndeste trupat ruse si çlirimtarë dhe se qeveria e Ukrainës do të shembej si paketë letrash.
Por kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj, më shumë se gjashtë muaj më vonë, ushtria ruse ka humbur terren.
Pra, pyetja kyçe është: A do të ketë kjo pasoja politike për Vladimir Putin?
Për më shumë se 20 vjet, Putin, brenda elitës ruse, ka gëzuar një reputacion si fitues; sepse gjithmonë arrin të dalë nga pikat më të ngushta; me pak fjalë, për të qenë i pathyeshëm.
Unë e kam parë shpesh atë si versionin rus të Harry Houdini. Çfarëdo nyje apo zinxhiri në të cilin ai lidhej, Putin gjithmonë arrinte të rrëshqiste.
Kjo ndryshoi pas 24 shkurtit.
Gjashtë muajt e fundit tregojnë se vendimi i Presidentit Putin për të pushtuar Ukrainën ishte një llogaritje e gabuar e madhe. Në pamundësi për të siguruar një fitore të shpejtë, Rusia u zhyt në një ofensivë të gjatë e të përgjakshme dhe ka pësuar një sërë humbjesh të turpshme.
Kur atmosfera e pathyeshmërisë e një udhëheqësi autoritar zbehet, kjo mund të shkaktojë probleme për liderin e lartpërmendur.
Vladimir Putin do ta njohë historinë e Rusisë. Nuk ka përfunduar mirë për liderët e kaluar rusë, të cilët kanë luftuar dhe nuk i kanë fituar ato.
Humbja e Rusisë nga Japonia çoi në Revolucionin e parë Rus të vitit 1905. Dështimet ushtarake në Luftën e Parë Botërore shkaktuan Revolucionin e vitit 1917 dhe fundin e Carit.
Publikisht, megjithatë, Presidenti Putin nuk ka ndërmend të përfundojë si humbës. Të hënën, zëdhënësi i tij Dmitry Peskov u tha gazetarëve: “Operacioni special ushtarak rus vazhdon dhe do të vazhdojë derisa të përmbushen të gjitha detyrat që ishin vendosur fillimisht”.
Kjo na çon në pyetjen tjetër kryesore: Çfarë do të bëjë Putin më pas?
Do të jetë e vështirë të gjesh dikë këtu që e di se çfarë po mendon dhe planifikon Vladimir Putin. Shumë mund të varet nga sa i saktë është informacioni që ai merr nga shefat e tij ushtarakë dhe të inteligjencës.
Por këtu janë dy gjëra që ne dimë: presidenti rus rrallë pranon se ka bërë gabime. Dhe ai rrallë bën kthesa.
Nga ajo që po thotë media shtetërore, ne tashmë po shohim shenja se për dështimet në fushën e betejës i vendoset faji mbështetjes perëndimore për Ukrainën.
“Kiev, i mbështetur nga NATO, nisi një kundërofensivë”, deklaroi televizioni shtetëror rus.
Ekziston një pyetje që qëndron në sfond prej muajsh: Nëse ai nuk mund të arrijë fitoren me armë, a do të bëhej presidenti Putin bërthamor?
Vetëm pak ditë më parë, shefi ushtarak i Ukrainës, Valeriy Zaluzhnyi, paralajmëroi: “Ka një kërcënim të drejtpërdrejtë të përdorimit, në rrethana të caktuara, të armëve taktike bërthamore nga forcat e armatosura ruse”.
Për momentin, nuk ka shenja të hapura paniku në Kremlin. Televizioni shtetëror rus po tingëllon më pozitiv. Ai ka përshkruar sulmet me raketa ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës si “një pikë kthese në operacionin special”.
Sa i përket liderit të Kremlinit, të shtunën e kaluar, ndërsa raportet vinin nga Ukraina se Rusia po humbte territorin, përsëri në Moskë, një Vladimir Putin me pamje të relaksuar po inauguronte bënte një inaugurim.
Presidenti rus duket se ende beson se “operacioni i tij special” do të kthehet në favor të tij.