Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte sot në një intervistë me gazetarin Thimi Samarxhiu për emisionin “Zona Zero” në Top News ku foli për vizitën e bërë në Hagë tek burgu i Tribunales ku presin verdiktin 4 ish-krerët e UÇK-së. Ai tregoi për bisedat që pati me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si dhe dha të gjitha arsyet se pse disa prej personaliteteve nuk mund të shkonin në takim. Sa kohë keni që merreni me këtë vizitë?

Diku te 3 muaj, nuk ishte e vështirë. Vështirë ishte të akordoheshim për një ditë të caktuar, duke pasur parasysh axhendën e ngarkuar të Presidentëve. Moisiu menaxhoi komplet anën shqiptare. Ne kemi pasur një kufizim për të shkuar atje, për shkak të numrit të personave që lejoheshin të hynin njëkohësisht në Tribunale. Mbi 6 persona nuk kemi mundur t’i ftojmë. Ramë dakord për 3 ish-Presidentët e dy vendeve. Metën nuk e ftuam dot se në atë kohë ishte akoma President. Nga Kosova ftuam Jahjagën dhe Fatmir Sejdiun. Jahjaga nuk është përgjigjur fare. Kurse Sejdiu plot edukatë tha që e ka të pamundur të vijë për arsyet e veta. Prandaj ftova Isa Mustafën, por ai nuk mund të udhëtonte me avion për shkak të rekomandimit të mjekëve. Ai tha që do shkoj njëherë tjetër me makinë me djemtë e tij. Kështu mbeta unë dhe 3 ish-Presidentët shqiptarë dhe Majkon. Berishën nuk e konsiderova ta ftoj duke parë angazhimin e tij të madh në fushatë me elektoratin e vet. Nuk besoj se Berisha nuk do donte të vinte atje. Jam i bindur që një ditë do të shkojë. Akuzat për Thaçin se ka dashur të shesë territor, janë të padrejta. Unë kam punuar me Thaçin dhe asnjëherë nuk kam parë ndonjë dokument apo hartë për shkëmbim territoresh. Është përfol, po unë s’kam parë gjë kurrë, dhe se askush nuk e ka parë, se s’ka ekzistuar fare ai dokument. Prokuroria Speciale kërkoi anulimin e akuzës për në Ferizaj, thanë që nuk ka asnjë provë që Thaçi të ketë bërë krim në Ferizaj, duket se e pati efektin vizita juaj…
Ka të drejtë të ketë efekt, se unë jam i bindur që nuk ka asnjë rast krimi lufte. E vërteta është se nuk di asnjë rast të vetëm, që të kem dëgjuar as në kafene e as në oda që dikush të ketë vrarë dikë. Kurrë s’kam dëgjuar që asnjë nga të 4 të akuzuarit të ketë bërë këtë. Janë thashetheme. Nuk ka asnjë provë.