Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka folur për çështjen e financimit rus të PD, në kohën kur partia drejtohej nga Lulzim Basha. I ftuar në “Radar Informativ” në Abc, Bardhi u shpreh se do të mbante të njëjtin qëndrim që ka mbajtur për Sali Berishën, nëse Basha do të sanksionohej nga SHBA. “Edhe po të ketë vendim për Gazment Bardhin unë do mbajë të njëjtin qëndrim. Në politikë duhet të udhëhiqesh nga parimet. Nëse do ketë një vendim ndaj Gazment Bardhit unë do mbaj të njëjtin qëndrim, dhe kur e mbaj ndaj vetes sime do e mbaj ndaj kujtdo.
Unë nuk eci me trë njëjtin burim si ecin kolegët, një burim anonim se nga SHBA nuk ka ende asnjë reagim. Nëse SHBA kanë një shqetësim konkret me PD, me grupin e PD apo me një anëtar të grupit të PD kanë qenë të hapur në diskutime, kjo nuk ka ndodhur deri tani”, tha Bardhi. Lidhur me financimet ruse, ai mohoi të kishte dijeni, duke thëhnë se është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në vitin 2019, ndërsa shtoi se kjo çështje është mbyllur nga Gjykata e Apelit.
“S’kam asnjë dijeni. Jam emëruar sekretar i përgjithshëm në janar 2019. Di që ka pasur një hetim dyvjeçar për këtë çështje, ka pasur dy vite retorikë politike nga PS mbi këtë çështje dhe di që hetimi është mbyllur me vendim nga apeli në mënyrë përfundimtare. Gjatë këtyre ditëve nuk kam parë ndonjë të dhënë shtesë. SHBA flasin me zë me figurë, nëse kanë një shqetësim me PD, me një politikan brenda grupit të PD dalin e bëjnë të qartë qëndrimin e tyre”, tha Bardhi.
Deputeti foli gjithashtu për lajmet e Lulzim Basha nuk mund të shkojë në SHBA, duke thënë se nuk mban agjendën e tij. “Nuk e di, nuk jam zyrë konsullore, nuk mbaj agjendën e zotit Basha. Patjetër që jam mik. Nuk më ka rënë ndonjëherë muhabeti ta pyes ku udhëton. Di që udhëton ku ka dëshirë të udhëtojë. Kur të ketë një gjë të re qëndrimi im ka qenë partneritet strategjik me SHBA”, u shpreh Bardhi