Një pikë në 2 ndeshje, vendi i fundit në Grupin E janë shifra që shqetësojnë ambientin në shtëpinë e Chelsea. Nuk ka asnjë efekt as Graham Potter, londinezët e kanë të vështirë të rikthehen te fitorja duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 përballë Salzburg.

Në “Stamoford Bridge” pas një pjesë të parë të përfunduar në barazim pa gola, Sterling me një goditje shumë të bukur brenda në zonë kaloi blutë në avantazh. Në të 66-tën, trajneri i ri hodhi në fushë Armando Brojën. “Bomberi kuqezi” i dha një tjetër impuls lojës së Chelsea me shpejtësinë e tij, por ishin miqtë ata që barazuan në minutën e 75-të.

Broja bëri gjithçka për të lënë gjurmë në këtë sfidë, dhuroi një asist shumë të bukur për Ziyech ndërsa në shtesë kishte shansin e artë për ti realizuar golin e tij të parë me fanellën e Chelsea, por për fat të keq goditja e tij përfundoi mbi traversë. Në përfundim të sfidës, Broja ishte një nga lojtarët më të vlerësuar në radhët e Chelsea, vetëm Sterling kishte notë më të lart:

“Jemi të zhgënjyer për rezultatin, mendoj se djemtë meritonin diçka më shumë. Duhet të përmirësojmë në disa detaje. Është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë”, u shpreh ndër të tjera Graham Potter pas ndeshjes.