Më në fund Liverpool zgjohet, këtë e bën pikërisht atëherë kur duhej, në ndeshjen e dytë në fazën e grupeve, atë kundër Ajax. Të kuqtë e Jurgen Klopp thyejnë “shigjetarët” me rezultatin 2-1 duke u rikthyer në lojë në Grupin A.
Në “Anfield” vuajtën jo pak pavarësisht se e gjeten veten në avantazh që në minutën e 17-të falë një goli të shënuar nga Salah. Holandezët iu përgjigjën 10 minuta më pas duke barazuar shifrat me Kudus, në zonë me të majtën gjeti trekëndëshin. Në pjesën e dytë, Liverpool shtoi dhe më shumë presionin në zonën e Ajax, por Alexader-Arnold, Salah e Luis Diaz nuk arritën të gjenin prekjen fituese. Goli trepikësh erdhi vetëm në minutën e 89-të ku Matip me kokë, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi dërgoi topin në rrjetë duke sjellë festë në shkallët e stadiumit.
“Pas golit të Matip u zhvillua një festë e bukur, si për të treguar rëndësinë e kësaj ndeshje. Kemi hedhur vetëm hapin e parë, e rëndësishme ishte që luajtëm me shumë lojtarë në gjendje të mirë fizike”, u shpreh Klopp pas ndeshjes.