Stiven Zhang është ende pronari i Interit, por duket se nuk do të qëndrojë i tillë edhe për shumë gjatë. Pasi u miratua bilanci prej 140 milionë eurosh humbje për sezonin 2021-2022, 30-vjeçari vendosi të derdhë edhe 100 milionë euro të tjera në llogaritë e klubit për të siguruar mbarëvajtjen këtë sezon, por duke pasur gjithmonë në horizont shitjen e Interit, që pritet të realizohet deri në maj të 2024-ës.

Pas “Goldman Sachs”, familja Zhang ka kontaktuar edhe “Raine Group”, një tjetër bankë amerikane që është marrë me shitjen e Çelsit, si një mënyrë për të përshpejtuar tratativat dhe për të gjetur sa më shpejt një blerës të ri, për vlerën prej 1.2 miliardë eurosh që synon kreu i grupit “Suning”. E ndërsa tregu i synuar për të shituar aksionet e klubit milanez është ai amerikan, duken se kanë ardhur edhe përgjigjet e para.

Sipas “Sportmediaset”, interes ka shfaqur sipërmarrësi Mark Lasri, amerikani i lindur në Marakesh që është kreu i fondit “Avenue Capital Group” dhe bashkëpronar i ekipit të NBA, Miluoki Baks. 63–vjeçari, që ka një pasuri, e cila shkon në 1.8 miliardë dollarë, kërkon ta zgjerojë portofolin ne tij me një klub futbolli në Europë dhe shikon tek Interi mundësinë ideale për të investuar.