Nga Elvi Fundo/
Deputetë, anonimë të opozitës, janë mbytur në pishinat e Irfan Hysenbelliut.
Ata i janë bashkuar Hysenbelliut, duke dalë pro ndërtimeve pa leje, për të cilat më në fund u zbatua ligji për prishjen e tyre, ashtu siç bëhet për qytetarët, që rregullojnë një çati, një oborr apo që ngulin një gozhdë në murin e shtëpisë së tyre.
Që nga e premtja e javës së shkuar po ulërasin e po bëjnë zallamahi me pretekstin se po sulmohet biznesi i Irfan Hysenbelliut, i cili i ka shërbyer denjësisht pushtetit, ka ngrënë e ka pirë me rilindas, siç po e dëshmon ditët e fundit. Qesharakë në maksimum, deputetët e opozitës pretendojnë se prishja e pishinave në hapësirën e zaptuar prej 4 mijë katrorësh rërë dhe det, nga Irfan Hysenbelliu, është dhunim i fjalës së lirë.
Cilën fjalë të lirë i kanë penguar Hysenbelliut, a mund ta thonë cilin denoncim për pushtetin apo cilën aferë që ka lidhje me pushtetin, nuk i kanë lejuar Irfan Hysenbelliut dhe mediave të tij, që ta bëjnë publike? Mediat e Irfan Hysenbelliut, për aq vite sa është Rilindja në pushtet, nuk mbahen mend të kenë publikuar një skandal, një denoncim apo investigim ku implikohet pushteti. Jo se nuk ka pasur të tilla, po se Irfan Hysenbelliu dhe mediat e tij kanë qenë në shërbim të Qeverisë, ashtu siç dëshmuan me foto kohët e fundit, hanin e pinin së bashku në “Prestige Resort”.
Ose këta deputë shantazhohen ose janë “derdimenë”, që mbyllin sytë para këtij fakti.
Mediat e Hysenbelliut, “News 24” dhe të tjera, nuk kanë qenë ndonjëherë kritike me Qeverinë, përveçse tani që i dolën borxhet ndaj institucioneve në Tatime, evazioni fiskal në dogana apo qira të papaguara të ambienteve shtetërore. Dhe të mos paguash detyrimet ndaj shtetit dhe të ndërtosh pa leje në rërë publike, quhesh media e lirë, dhe kur shteti nuk të lë më të mos zbatosh rregullat quhet shkelje e lirisë së medias?!
Këtë logjikë vetëm ky soj deputetësh mund ta përdorë.
Po mirë Irfani se këtë e njohim, por këta bedelë deputetë të opozitës si mund të pranojnë të bëhen lolo e të përdoren nga Irfani për pishinat pa leje, ku deri dje drekonte Taulant Balla me Arben Ahmetajn, e ndonjëherë edhe Edi Rama?
Nuk mund të mohohet, është fakt se Qeveria është përgjegjëse dhe ka shkelur ligjin pasi e ka lënë vite me radhë të mos paguajë sigurimet shoqërore të punonjësve te birra “Tirana”. Institucionet dhe Edi Rama janë përgjegjës pse e kanë lënë Irfanin të ndërtojë pa zbardhur lejen e ndërtimit dhe pa paguar taksën e infrastrukturës prej kaq kohësh. Qeveria është përgjegjëse pse e kanë lënë Irfanin të mos paguajë prej 6 vjetësh qiranë e zyrave të gazetës “Panorama”.
Qeveria është përgjegjëse se Irfani nuk paguante qiranë se rrinte në resort me Qeverinë, se Irfani nuk zbardhte lejen e ndërtimit e ai ndërtonte pa leje se rrinte në tavolinë me Qeverinë. Ai nuk paguante sigurimet shoqërore të punonjësve se rrinte në pishinë me Qeverinë. Tani që qeveria nuk i shkon në resort, Irfani habitet e ngre gjithë mediat e tij në këmbë, armatën e njerëzve që paguan që të bërtasin nga mëngjesi në darkë se po dhunohet fjala e lirë, media e lirë, liria e fjalës, liria e shprehjes, liria e editorialit e përralla si këto.
Dhe habiten aq shumë dhe moderatorët e spikerat e televizionit të tij kur me naivitet rrëfejnë që Edi Rama na zgjodhi dhe ngjyrat e fasadave të resortit e tani po na prish pishinat. Se faktin që Rama u ka zgjedhur ngjyrat e konsiderojnë leje ndërtimi dhe s’ka nevojë të plotësojnë dokumente e kushte të lejes. Këto e të tjera janë faje të Qeverisë, të cilat tani e çudisin Irfanin.