Nga Christine Karelska

“Visegrad Insight”

Situata në frontin e luftës në Ukrainën Jugore po bëhet më e nxehtë, teksa ushtria ukrainase po grupon shumicën e forcave dhe armëve perëndimore për të çliruar territoret e saj. Nga ana tjetër, rusët po rigrupohen dhe po përzihen me trupat e tyre të demoralizuara për të mbrojtur me çdo kusht rajonin Kherson, duke shpresuar të pushtojnë akoma më shumë territore përpara dimrit.

Ekspertët ushtarakë janë shumë të kujdesshëm në parashikimin e rezultatit dhe afatit kohor të betejës së shumëpritur. Por shumica janë dakord që herët a vonë, Ukraina do ta rimarrë sërish Kherson-in. Po pse Kherson ra kaq shpejt në duart e Kremlinit?

Rajoni është në afërsi të Krimesë, dhe për shkak të paralajmërimeve të shumta nga burime të ndryshme për pushtimin rus, presidenti Volodimir Zelenskyy mori pjesë vetë në stërvitjet ushtarake në rajon më 12 shkurt. Gjithçka dukej se ishte gati për të zmbrapsur pushtimin rus.

Por, e vetmja qendër rajonale që ra në duart e rusëve ishte pikërisht Kherson. Rënia e shpejtë ngjalli dyshime për bashkëpunimin me armikun të autoriteteve lokale dhe agjencive ligjzbatuese. Kjo pasi para ofensivës ruse, urat në istmin e Krimesë, përfshirë pikat e kontrollit në Chonhar dhe Kalanckak, u çminuan dhe mbetën të gjitha mbetën të paprekura, raporton abcnews.al.

Që në ditën e parë të luftës, punonjësit e institucioneve vendore u larguan nga Kherson. Të gjitha bazat e të dhënave të tyre të ruajtura në hard-disqe nuk u fshinë dhe ranë në duart e pushtuesve, të cilët i përdorën për të dhunuar apo rrëmbyer veteranët e luftës, aktivistët, gazetarët dhe zyrtarët.

Figurat qendrore që mbështetën rusët janë ish-kryebashkiaku i Kherson, Volodymyr Saldo, dhe Kiril Stremousov. I pari është një biznesmen me ndikim dhe një politikan pro-rus, ndërsa i dyti një bloger i lidhur ngushtë me lëvizjet radikale nacionaliste ruse. Por pikërisht përpara pushtimit, ndihmësi i Shefit të Departamentit të SBU (shërbimit sekret ukrainas) në rajonin Kherson, Ihor Sadokhin, u dorëzoi pushtuesve një hartë të fushave të minuara dhe koordinoi sulmet e tyre ajrore.

Kjo bëri që trupat ruse nga Krimea të përparonin me shpejtësi në disa drejtime, dhe ta pushtonin Kherson-in për 8 orë. E ashpër ishte beteja për urën Antonivskiy, të cilën rusët e pushtuan më 28 shkurt. Ata pushtuan me shpejtësi edhe vendbanimet e mëdha Nova Kakhovka, Henichesk, Skadovsk etj, duke hapur rrugën për sulmin ndaj Mariupol, Zaporizhia, Dnipro dhe Mykolaiv, raporton abcnews.al.

Përveç tradhtisë së mundshme nga pala ukrainase, në aspektin ushtarak, forcat ruse ishin më të shumta se ukrainasit, 35 mijë përkundrejt 15 mijë. Presidenti Zelenskyy u zotua të rimarrë Kherson-in përpara se të mbërrijë dimri. Ndaj kundërofensiva e nisur së fundmi, po vazhdon hap pas hapi, duke rimarrë si fillim fshatrat përreth, dhe duke iu afruar qytetit-port me një rëndësi strategjike dhe me potencial të madh bujqësor.

Ushtria ukrainase sulmoi disa herë me sistemin raketor amerikan HIMARS një nga urat kryesore të furnizimit, urën Antonivskiy, për të ndërprerë furnizimin logjistike ruse ndaj qytetit. Ura të tjera kyçe (Dariivskyi, Kakhovskiy, Dmitryivskiy përtej lumit Ingulets) janë gjithashtu jo funksionale, duke e bërë të pamundur furnizimin e rusëve nga Krimea apo lindja, dhe as kryerjen e ndonjë manovre me rëndësi nën zjarrin ukrainas.

Po ashtu, ushtria ukrainase shkatërroi depot e municioneve dhe qendrat e komandës ruse, duke i detyruar rusët të ndryshonin planet, pasi gatishmëria e tyre luftarake po degradonte ndjeshëm nga dita në ditë. Shërbimet sekrete britanike, konfirmojnë se Kherson është shkëputur nga territoret e tjera të pushtuara nga Rusia.

Gjithsesi, rëndësia strategjike e Kherson e detyron Rusinë ta mbajë me çdo mjet këtë territor. Sipas burimeve të ndryshme, Kremlini po kryen rekrutime të reja për t’i dërguar në Ukrainën Jugore pa trajnimin e duhur, përfshirë Ushtrinë e 35-të të që kreu krime lufte në Bucha.

Nëse Rusia mban të pushtuar Kherson, trupat e saj mund të sulmojnë Mykolaiv, dhe më pas të nisen drejt Odesës, për të vënë nën kontroll të gjitha portet e Ukrainës, dhe krijuar kështu një urë toke për në Transnistria. Nga Transnistria, do të rritej ndjeshëm ndikimi rus mbi Moldavinë.

Nëse ukrainasit arrijnë të çlirojnë Kherson-in, ata mund të godasin urën e madhe të Krimesë nga pozicione më të mira, dhe madje të shkatërrojnë flotën ruse që është e ankoruar në Sevastopol. Në zonat e pushtuara rusët kanë ngritur kampe, teksa torturojnë aktivistët apo cilindo që pushtuesit nuk e pëlqejnë.

Po ashtu raportohen përdhunime, rrëmbime, bastisje të herëpashershme, dëbime të detyruar në Rusi, imponim të gjuhës ruse në sistemin arsimor, zëvendësim të autoriteteve lokale, lëshime të pasaportave ruse, shkatërrim të trashëgimisë kulturore, heqje e simboleve të Ukrainës etj.

Pushtuesit i detyrojnë mjekët ukrainas të nënshkruajnë dokumente për t’i marrë pagat në rubla. Ata që refuzojnë rrezikojnë ta humbasin punën e tyre ose më keq akoma. Ndihma humanitare ndërkombëtare u bllokua menjëherë pas pushtimit, dhe tani banorët vuajnë shumë nga mungesa e elementeve bazë:ujë të freskët, ushqime, produkte higjienike, ilaçe, gaz dhe energji elektrike, raporton abcnews.al.

Pushtuesit ua japin ndihmën humanitare në këmbim të mbledhjes së të dhënave personale, që do të përdoren në një referendum farsë. Ndërkohë pushtuesit rusë shpërndajnë fletushka ku bëhet thirrje për të “ndalur rezistencën dhe për t’u përfshirë në jetën paqësore të qytetit”, ndërsa Rusia “po i çliron ata nga regjimi i Kievit”.

Banorët përdorin çdo mundësi dhe qasje në internet, për të ndarë informacione me gazetarët në lidhje me pushtimin rus. Kulmi i luftës hibride ruse, është mbajtja e një referendumi të rremë për të shpallur Republikën Popullore të Khersonit, ose për ta inkorporuar rajonin në federatën ruse në datën simbolike 11 shtator, data e sulmit terrorist në Nju Jork, por edhe e themelimit të qytetit të Moskës.

Partizanët u kujtojnë vazhdimisht pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve, se Kherson është Ukrainë dhe se së shpejti ai do të çlirohet. Ata vendosin në vende publike postera anti-ruse, mbishkrime patriotike dhe shpërndajnë fletushka. Në to tregohet si krijohet një koktej molotov, dhe u rikujtohet banorëve se ushtria ukrainase është aq pranë sa që mund ta shohë qytetin me dylbi.

Lëvizja partizane, e quajtur edhe “ushtria në hije”, përdor edhe metoda të dhunshme për të shkaktuar kaos mes rusëve, duke vrarë bashkëpunëtorët, duke hedhur në erë makinat e tyre, linjat hekurudhore, dhe duke i dhënë ushtrisë ukrainase koordinata të sakta mbi pozicionet e trupave ruse.

Ekspertët ushtarakë përsërisin të njëjtën deklaratë:nëse ukrainasit pajisen me të gjitha armët e nevojshme të sofistikuara, ata do të fitojnë para dimrit. Në të kundërt, do të kemi një luftë shkatërruese. HIMARS u dëshmua të ishte një armë që ndryshoi rrënjësisht balancat në fushën e betejës, raporton abcnews.al.

Por që të jetë e suksesshme, kundërofensiva duhet të kombinohet me njësitë e këmbësorisë, artilerinë dhe aviacionin, dhe më e rëndësishmja të ketë angazhimin e Perëndimit për të mbështetur të gjitha nevojat ushtarake për një përparim të shpejtë drejt rimarrjes së territoreve të pushtuara.

Gjithsesi, rimarrja e Kherson-it nuk do të jetë e lehtë, dhe ukrainasit po përgatiten për luftë urbane. Të dyja palët janë gati për “të gjitha ose asgjë”. Për ukrainasit, një fitore në këtë ofensivë do të jetë një nxitje e madhe morale, dhe do të sillte më shumë mbështetje nga Perëndimi.

Ukraina ka dëshpërimisht nevojë për një fitore, përpara ngërçit të ardhshëm të dimrit, për të qenë në pozita superiore në një tryezë të mundshme bisedimesh. Beteja e ashpër për Kherson-in është beteja për të gjithë Ukrainën Jugore, dhe mund të jetë guri i parë në humbjen totale të ushtrisë ruse.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al