Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama mori pjesë në inaugurimin e shkollës së re 9-vjeçare “Andrea Stefani”, integruar edhe me parashkollorin, do të mirëpresë 900 nxënës, në zonën e Astirit dhe Laprakës.
Gjatë fjalës Kryeministri Edi Rama u shpreh: “Sot kemi një panoramë tërësisht të transformuar të gjithë infrastrukturës shkollore në kryeqytet. Ne e morëm Tiranën në një moment dramatik për arsimin parauniversitar, për shkak të një disbalance realisht shumë të madhe midis rritjes së numrit të popullsi, rritjes së kërkesave për klasa dhe ritmit absolutisht të papërshtatshëm të ndërtimit të këtyre klasave. Dhe me atë ritëm ne do të na duheshin 65 vjet të arrinim të përmbushnim të gjitha kërkesat. E në atë kohe dukej absolutisht e pamundur që të imagjinonim shkolla me një turn dhe me klasa me më pak se 30 nxënës që është një standard i domosdoshëm dhe për pasur të gjitha kushtet e një mësimi normal dhe për t’u dhënë mundësi nxënësve të jenë të gjithëpërfshirë në procesin mësimor.”
“Sot kjo është e realizuar jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë zonën që u prek nga tërmeti, ku faktikisht ajo krizë e shumë e rëndë u kthye në një mundësi shumë të madhe, që ne, kam krenarinë ta them e shfrytëzuam maksimalisht”.
“Duhet thënë edhe që ne nuk kemi ndërtuar thjesht shkolla të reja, ose nuk kemi shtuar thjesht numrin e klasave, por faktikisht kemi ndërtuar shkolla të cilat janë të standardeve dhe të një niveli projektimi, estetike, realizmi që mund të ishin në çdo kryeqytet të Bashkimit Europian, pa asnjë lloj diskutimi. Ju kemi dhënë fëmijëve, mësuesve, prindërve që ndërveprojnë në këto shkolla mundësinë që të ndihen të barabartë më të gjithë fëmijët, mësuesit dhe prindërit e Bashkimit Europian.” nënvizoi Rama.