Tetë ndeshje, tetë fitore për Realin e Madridit në këtë fillim sezoni. Mes kupave dhe kampionatit spanjoll, skuadra e Ançelotit nuk njeh rezultat tjetër veç fitores. Suksesi i tetë radhazi ka ardhur të mërkurën në mbrëmje në Ligën e Kampioneve përballë Lajpcigut. Një nisje e tillë e skuadrës së Ançelotit ka “detyruar” gazetarët dhe dashamirësit e shifrave dhe historisë që të rrëmojnë nëpër arkiva për të gjetur një start të tillë të sezonit nga “Los Blancos”.
REAL MADRID
Tetë fitore radhazi në nisje të sezonit janë parë vetëm në vitet ’60. Madje atëherë, seria e fitoreve ishte më e gjatë, gjë që do të kërkojë ta bëjë dhe Ançeloti pas më shumë se 50 vitesh. Reali i Di Stefanos në sezonin 1961- 1962 arrinte 11 fitore radhazi, me serinë e sukseseve që ndalej nga një humbje me Benfikën në finalen e Kupës së Kampioneve. Shtatë sezone më vonë (1968-1969), historia do të përsëritej me 11 fitore në 11 takimet e para të sezonit.
Reali i Ançelotit numëron 8 suksese radhazi, kur një nga sukseset i ka dhënë dhe trofeun e parë sezonal, Superkupën e Europës. Nëse Reali vazhdon të ecë me këto ritme, rekordet e para 53 viteve janë të destinuara të “fshihen”. Me suksesin kundër Lajpcigut, Karlo Ançeloti ka lënë pas Manuel Pelegrinin, i cili e niste sezonin 2009- 2010 me 7 fitore radhazi nën drejtimin e Madridit. Zidan nga ana e tij u ndal në 6 suksese radhazi në nisjen e sezonit 2016-2017.
Kjo nisje me marsh të lartë për Realin e Ançelotit është bazuar në një strategji të qartë të klubit. Ançeloti në fakt e ka bërë me dije shpesh gjatë konferencave për shtyp, dëshiron maksimumin e pikëve deri në fillim të nëntorit kur sezoni do të ndalet për t’i lënë vend Botërorit. Deri më tani, gjithçka po shkon sipas planeve të teknikut italian. Por kujdes, të dielën vjen një provim shumë i vështirë, teksa Reali do të përballet me Atletikon në derbin e parë të sezonit.