Nga Ylli Pata

Sa herë ka zhvillime të rëndësishme në Policinë e Shtetit, aq herë flitet për reforma strukturore, siç edhe sot foli kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e prezantimit të Drejtorit të ri Muhamet Rrumbullaku. Në fakt, nuk është hera e parë që flitet për reformë, pasi kemi të bëjmë me një refren të shpeshtë, që zakonisht vjen si logjikë apo ide sa herë ka ndryshime në kupolën e ministrisë së Brendshme.

Gjithsesi, sot ka një lajm, ku në krye të policisë është emëruar një oficer me përvojë, i cili ka një historik të gjatë të karrierës policore. Një zhvillim, i cili një institucioni bazik të Sigurisë Kombëtare, nëse do të ndodhë i qëlluar, i jep tisin e stabilitetit, çka institucione të tilla e kanë jetike. Nëse ka një fenomen, që ka shënuar tranzicionin e gjatë shqiptar, është pikërisht fenomeni i kryepolicëve shëtitës, apo rrotacionit të tyre në bazë të stinëve politike.

Pra kur vjen në pushtet PD-ja, qarkullon një kontigjent të saj të oficerëve të lartë si drejtorë kryesorë, e kur vjen PS-ja qarkullon kontigjenti homolog i drejtuesve policorë. E kështu kemi pasur për gjithë këtë tranzicion një lloj rrotacioni shëtitës të kryepolicëve, që kur qeveris partia e tyre janë në majën e uniformave blu, e kur ajo është në opozitë janë strukturë sigurie dhe gati paramilitare e partive politike. Ndërkaq, vitet e fundit ne kemi parë edhe fenomenin e kryepolicëve panelistë në emisionet e darkës.

Asgjë nuk ka që oficerë me përvojë politike të jenë në rolin e kritikëve të kolegëve të tyre drejtues, duke u specializuar si analistë. Por Policia e Shtetit nuk është si skuadrat e futbollit kur trajnerët pa një angazhim janë opinionistë, e kur marrin çantën e drejtimit të një skuadre rolet ndryshohen. Oficerët e Policisë së Shtetit, e kanë me ligj të jenë të depolitizuar, sa kohë që ata mbajnë titullin e eprorit aktiv të uniformave blu. Në moment që një oficer policie zgjedh atashimin në politikë, qoftë si pjesëmarrës aktiv në poste politike, apo si detashment mbështetës i saj, ai e ka humbur realisht distiktivin e oficerit.

Nuk ka asnjë çudi që një oficer policie të dorëzojë distiktivin dhe të atashohet në politikën aktive. Kjo ka ndodhur rëndom edhe tek ne por edhe në botë.
Eric Adams është kryebashkiaku aktual i New Yorkut, ai ka qenë një oficer i rëndësishëm i Departamentit të Policisë së New Yorkut, një organizatat më prestigjoze policore në të gjithë botën. Por në momentin që ai vendosi që të hyjë në politikë, braktisi uniformën dhe ju bashkua jetës civile. Duke dhënë natyrisht përvojën e tij si ekspert i sigurisë publike në jetën qeverisëse të qytetit apo shtetit.

Siç edhe te ne kemi deputetë apo edhe kryebashkiakë që dikur kanë qenë oficerë policie, që nuk ka sesi të rikthehen në ndonjë rast në poste të ngjashme. Siç normalisht kemi prej kohësh oficerë policie të rikthyer në panelistë, të cilët në çdo mbrëmje akuzojnë kolegët e tyre për vepra penale monstruoze, e kur janë në drejtim të unformave blu, mbrohen nga akuzat e kolegëve.

Nëse oficerët e policisë kanë informacione për mundësinë e depërtimit apo infliltrimit të rrjeteve kriminale në polici, nuk ka rrugë tjetër veçse raporti zyrtar në organizmat përkatëse, pasi çdo fushatë toksike atëherë e kthen atë në fushatë politike.

Depërtimi i krimit në polici nuk është as fenomen shqiptar, e as i përfshirë vetëm në vendet ku sasia e parave që krimi i organizuar qarkullon, konkurron me buxhetin e shtetit. Kjo ndodh edhe në vende të fuqishme e të zhvilluara në botë. Ka mjaft material dokumentar, publicistik, letërsi dhe kinematografik për këtë çështje. Dy nga këta kryevepra kanë lënë shenjë në historinë e filmit. LA Confidential e regjizorit Curtis Hanson dhe The Departed e Martin Scorsese, tregojnë në detaje dhe me një dramaturgji të lartë fenomenin e korrupsionit të oficerëve të policisë. Shqipëria, ka pasur raste ku oficerë me emër të policisë si Alfred Shkurti alias Aldo Bare janë kthyer në krerë bandash të frikshme kriminale, apo edhe raste kur policë e oficerë janë atashuar në struktura paramilitare siç ndodhi në Elbasan në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Mund të ketë shkaqe të ndryshme të këtij devijimi që shkatërron institucionin, por fakt është se mungesa e një karriere normale dhe mënjanimi apo denigrimi i oficerëve të aftë, i kthen ata në kontigjente të sektorit privat apo rrugës. Një punonjës apo oficer sigurie, për të cilët shoqëria investon me vite, duhet të rrijë në uniformë parimisht deri sat ë dalë në pension, e në momentin që ai largohet, nuk duhet të marrë më distiktivin e tij. Në policitë e vendeve europiane, karriera në polici e oficerëve apo edhe e nënoficerëve bëhet graduale duke ecur nëpër shkallë të përcaktuara të një protokolli ligjor. Pasi nuk shkon që dosa oficerë e nënoficere dalin në pension në një pozicion të pandryshuar në një stacion policie, e kryepolicët shëtitës e “analistë” presin rrotacionin fatlum për të marrë drejtimin sipas stinës politike…