Inter mori një goditje të fortë në derbi përballë Milan, një humbje e rëndë që ka trazuar jo pak ambientin zikaltër. Kjo disfatë bëhet edhe më e hidhur pasi vjen përpara sfidës së parë në Champions League, asaj kundër Bayern Munich.

Inzaghi dhe stafi duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, Bayern nuk është rivali më komod që mund ti rezervonte fati në këtë pikë të sezonit. Si të mos mjaftojë atmosfera jo pozitive, Bayern është një tabu e madhe për zikaltërit në “San Siro”.

Në tre përballjet ndërmjet tyre në Milano, Bayern i ka fituar të tre sfidat. Në 10 përballjet në total, Inter numëron 4 fitore, Bayern 5 fitore, dhe vetëm një herë kanë përfunduar në barazim. Sigurisht në këto statistika, ajo që nuk harrohet lehtësisht është triumfi i Inter në finalen e Champions League.

Në lidhje me këtë përballje ka folur dhe legjenda e dy klubeve, Karl-Heinz Rummenigge: “Inter nuk ishte me fat në short, por nuk janë me fat as Bayern e Barcelona. Është ndeshja e parë e grupit dhe askush nuk dëshiron ta humbas. Pres të luhet një ndeshje të hapur pasi edhe Inter luan një futboll të bukur, u shpreh Rummenige.