Shteti nuk mund ta lejojë këtë situatë të krijuar në Federatën Shqiptare të Futbollit, një ‘Kore e Veriut’ që askush nuk përgjigjet se çfarë ndodh aty. Kështu ka deklaruar sot në Report Tv ish-futbollisti, trajner aktualisht dhe investitor i akademisë ‘Football Republic’, u shpreh Redi Jupi. I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’, me gazetarët Nertil Agalliu dhe Migena Sotiri, Jupi tha se gjithçka që bën sot FSHF e bën me të vetmin qëllim, atë të sigurimit të fitores së ardhshme të Armando Dukës.
“Bëhet fjalë për 150 mijë qytetarë shqiptarë që janë të interesuar direkt se çfarë ndodh me futbollin në vend, ndërkohë që e vetmja gjë që bëhet sot në FSHF është që Duka të sigurojë bastionin e tij të votave për zgjedhjet e ardhshme. Aman more, ta zgjedhin përfundimisht, ta lërë edhe trashëgimi po të dojë dhe të merremi me hallet e futbollit pastaj”, tha Jupi. Sipas tij Federata shqiptare e futbollit është marrë peng, është e privatizuar. “Shtetit duhet të reagojë. Ka shumë mënyra se si mund të ndryshohet kjo situatë. Ata s’kanë interes të zhvillojnë futbollin e fëmijëve, ekipet kombëtare. Këta nuk duan t’ia dinë. Godasin çdo njeri që mendojnë se nuk janë pro këtyre. Këta janë një Kore e Veriut brenda një territori të vetin atje te Liqeni ku kanë zyrat. Koreja e Veriut e dha në lajme që kishte fituar botërorin dhe Kim kishte shënuar 3 gola. Në këtë nivel janë edhe këta”, vijoi ish futbollisti.
Duke folur për rezultatet e Shqipërisë në këtë sezon të Ligës së Kombeve, Jupi tha se kjo është rezultat i faktit se futbolli në vend ka dështuar në këto 20 vite. “Janë dy skuadra modeste, por Izraeli na mbizotëroi, ndërsa Islanda priti momentin për të na goditur. Këtu ka një propagandë që po mbrohet një federatë që ka 20 vjet që drejtohet nga të njëjtë njerëz. Përveç Evropianit që kishte shumë peripeci nuk ka pasur asnjë sukses. Ne kemi dështime te moshat, tek të gjithë ekipet kombëtares, por propaganda e një institucioni bën që të duket sikur e ka fajin vetëm trajneri”, tha Redi Jupi. Në fund Jupi nënvizoi se ka një pakënaqësi shumë të madhe ndaj federatës ndër tifozë, pasi kreu nuk ka asnjë përqindje konsensusi. “Ka një pakënaqësi popullore. Tani fillon detyra e institucioneve gjyqësore, ligjzbatuese, që t’i çojnë gjërat atje ku duhet”, tha ai.