Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka udhëtuar drejt SHBA-së në kuadër të një vizite zyrtare ku është takuar me një sërë personalitetesh të rëndësishëm të politikës amerikane.

Në nisje të takimeve, Spiropali është priturnga Senatori, njëkohësisht dhe Kryetari i Komisionit të Sigurisë së Brendshme në Senat, Gary Peters.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte dhe sulmi kibernetik i Iranit ndaj sistemit të shërbimeve online në Shqipëri. Ministrja Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen që SHBA i ka dhënë vendit tonë për këtë çështje.
“Diskutuam për progresin që ka bërë Shqipëria, sfidat e së ardhmes, sulmet kibernetike të Iranit ndaj shërbimeve qeveritare në vendin tonë, si dhe sanksionet e ndërmarra nga SHBA dhe partnerët për dënimin e këtij akti kriminal” – thotë ministrja Spiropali.

*Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:*
Washington DC – Nder dhe kënaqësi të nis vizitën zyrtare me Senatorin Gary Peters, Kryetar i Komisionit të Sigurisë së Brendshme në Senatin, ku mbulohen çështje të sigurisë kibernetike, bashkëkryetar i grupit të miqësisë me Shqipërinë, një mik i shkëlqyer i Shqipërisë dhe shqiptarëve!
I shpreha mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen që Kongresi & Senati Amerikan vijojnë të japin për vendin tonë.

Diskutuam për progresin që ka bërë Shqipëria, sfidat e së ardhmes, sulmet kibernetike të Iranit ndaj shërbimeve qeveritare në vendin tonë, si dhe sanksionet e ndërmarra nga SHBA dhe partnerët për dënimin e këtij akti kriminal.

Në vijimësi të takimit biseduam për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike, dhe rritjen e mbështetjes amerikane në këtë fushë të sigurisë.