Ditën e hënë, 26 Shtator nis edicioni i 8-të i Tirana Connectivity Forum, forumi i vetëm Evropian vjetor i ndërlidhshmërisë i organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim – CDI. Forumi ofron një platformë shkëmbimi, koordinimi dhe ndikimi unike në fushën e ndërlidhshmërisë, dhe bën bashkë vendim-marrës, politikanë, financierë, think tanke, institucione të BE-së dhe grupe interesi nga e gjithë Evropa Juglindore dhe nga Bashkimi Evropian.
Çdo vit Forumi fokusohet në një temë aktuale dhe e trajton atë në mënyrë të shumëanëshme. Këtë vit tema kryesore e zgjedhur është “Securly Connected |Ndërlidhshmëri e sigurt”.
Të tre ditët e forumit do të lidhen me këtë temë qendrore, por secila prej tyre do të thellohet nga një aspekt i veçantë të sigurisë.
Organizuar në ambientet e Portit të Durrësit, dita e parë e titulluar “Secure and Resilient Infrastructure | Infrastrukturë e sigurt dhe e durueshme” , do të fokusohet në Korridorin e ri Evropian të Transportit të Ballkanit Perëndimor përmes komponentit lumor të korridorit Rin – Danub dhe porteve detare të Adriatikut; si dhe në komponentin hekurudhor të Korridorit VIII që lidh portet e Adriatikut me Detin e Zi.
Dita e dytë, që do të vijojë në Tiranë, titullohet “Secure and Well Governed Institutions | Institucione të sigurta dhe të mirëqeverisura” dhe do të fokusohet në kontributin e aktorëve të shoqërisë civile në ruajtjen e integritetit dhe në mirëqeverisjen e institucioneve. Kjo ditë do të sjellë shembuj nga rajoni mbi angazhimin e shoqërisë civile në politikbërje dhe në menaxhimin e ciklit të projekteve të infrastrukturës.
Një diskutim i hapur mbi Tregun e Përbashkët Rajonal/Axhendën e Gjelbër dhe mbi Procesin e Berlinit 2.0, do synojë të identifikojë mundësitë dhe mekanizmat që mund të përdoren nga organizatat e shoqërisë civile për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e qytetarëve, si dhe për të kontribuar në zbatimin e tyre. Në mbyllje të ditës, një seksion i veçantë me të Dërguarit e Posaçëm të vendeve anëtare të BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Gjermania, Greqia, Austria dhe Vendet e Ulëta do të diskutojë reformat, zgjerimin, kontekstin aktual gjeopolitik dhe rolin e tyre në mbështetjen e vendeve të Evropës Juglindore në rrugën e tyre drejt BE-së.
Dita e tretë e titulluar “Secure and Future proof Enlargement | Zgjerim i sigurt dhe i garantuar për të ardhmen” do të trajtojë rolin e të rinjve në politikat sektoriale që zbatohen në Evropën Juglindore, si dhe trashëgiminë e Vitit Evropian të Rinisë (European Year of Youth – EYY) dhe të Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 (Tirana European Youth Capital 2022 – TEYC22). Pas prezantimit të arritjeve kryesore të EYY dhe TEYC22, përfaqësuesit e të rinjve dhe politikëbërësit do të debatojnë përse duhet dhe si mund të përfshihen kërkesat e të rinjve në politikat e BE-së dhe politikat sektoriale kombëtare.
TCF22 është pjesë e Kalendarit Zyrtar të Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së për semestrin e dytë të vitit 2022 dhe e Kalendarit Zyrtar të Aktiviteteve të Vitit Evropian të Rinisë 2022 (EYY).
Programi i plotë i TCF 2022 si dhe informacion rreth edicioneve të mëparshme mund t’i gjeni në www.tiranaconnectivityforum.org
Aktiviteti organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.