Shkarkimi surprizë i Tomas Tuhel nga posti i trajnerit të Çelsit, ka marrë menjëherë një vëmendje të madhe nga mediat britanike.

Ndërkohë, Tod Bohli po punon menjëherë për të gjetur pasuesin e tij në këtë post. Me emrat e mëdhenj që nuk mungojnë.

Siç raporton “Sky Sports UK”, bordi drejtues po punon për të afruar Zinedin Zidan. Ish-legjenda e Francës, i cili bëri mrekullinë me Realin e Madridit në vitet 2016-2018, është një trajner që të gjithë do të donin ta kishin. Gjithsesi, kjo gjë pritet të jetë e vështirë, pasi Zizu prej kohësh ka deklaruar se kërkon të marrë në drejtim vetëm kombëtaren e Francës.

zidaneEmri tjetër që raportohet nga mediat britanike është ai i Mauricio Poçetinos. Trajneri argjentinas zhgënjeu me PSG-në dhe për këtë arsye u shkarkua nga klubi francez. Gjithsesi, ai ka bërë mirë në Premier Ligë, kur ka drejtuar Totenhemin, që madje e ka çuar dhe njëherë në finalen e Ligës së Kampionëve.

Favoriti për të zënë postin e lërë nga Tomas Tuhel, nuk është një emër i njohur në futbollin europian, por dikush që ka bërë mirë në Premier Ligë vitet e fundit. Bëhet fjalë për Graham Poter, trajneri i Brajtonit. Thuhet se “Blutë” kanë nisur kontaktet me Brajtonin për të arritur një akord me Poter.

Një tjetër që po e pret me padurim emrin e trajnerit të ri te Çelsi është dhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, i cili kërkon të dijë nëse do të ketë më shumë minuta se sa kishte me Tuhelin për “Blutë”.