I ndodhur i izoluar nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe refuzimit të vazhdueshëm të administratave amerikane për t’i zbutur ato, Irani është detyruar të kërkojë aleanca nga Lindja.
Fillimisht Rusia dhe më pas Kina ishin dy superfuqitë që i hapën dyert e bashkëpunimit Republikës Islamike.
Aleancat në fjalë i shërbejnë asaj për t’i bërë kontrast armiqësisë me Uashingtonin dhe të zhvillojë, ndonëse në kapacitete të reduktuara, ekonominë e drobitur.
Aktualisht, Pekini dhe Moska kanë lidhje ekonomike të forta me Teheranin dhe presin të përfitojnë nga normalizimi i marrëdhënieve tregtare.
Lufta në Ukrainë ka konsoliduar aleancën trepalëshe si një bllok anti-perëndimor, edhe pse mbetet për t’u parë sesa Rusia dhe Kina do të përfitojnë nga Irani në plane afatgjata.
Rusia po përpiqet të shtrihet në Republikën Islamike për të promovuar bashkëpunimin në fushën e energjetikës, përballë sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Dy vendet i bën bashkë fakti se janë shtetet më të sanksionuara në botë.
Së fundmi ka pasur dy vizita të nivelit të lartë nga Moska në Teheran, por ende nuk dihet se çfarë Kremlini mund t’i ofrojë vendit të Lindjes së Mesme.
Faktikisht, raportet e fundit tregojnë se eksportet iraniane të naftës kanë rënë, në një kohë kur Rusia po përpiqet t’u shesë naftën e saj vendeve jo armike me një ulje të ndjeshme të çmimit.
Nga ana tjetër, importet kineze nga Federata Ruse u rritën këtë vit, duke regjistruar rekordin në muajin maj.
Në fund, si Pekini edhe Moska duan që Irani t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore të 2016-s, por në të njëjtën kohë, ato janë munduar të dobësojnë përpjekjet e Perëndimit për të ushtruar presion ndaj Iranit, që të pranojë kushte më të vështira.