Shenjat e para kishin nisur me kohë, por duket se vdekja e mbretëreshës Elizabetë këputi fijen e fundit shpirtërore që mbante lidhur disa vende të Komonuelthit me kurorën britanike.
Vdekja e saj ka rindezur menjëherë debate në shumë prej ish kolonive britanike, duke vënë në pikëpyetje lidhjet e tyre të ardhshme me monarkinë. Britania nuk është e vetmja që ka tashmë një mbret të ri.
Australia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe Xhamajka janë ndër vendet ku mbreti Karli i tretë është kreu i ri i shtetit. Pesëdhjetë e gjashtë vende janë anëtarë të Komonuelthit, një bashkim i ish-kolonive britanike, me mbretin Karl në krye të tyre.
“Shumë vende po shqyrtojnë rolin dhe vendin e tyre në Komonuelth. Mendoj se tashmë që Mbretëresha Elizabet ka vdekur, sigurisht që do të ketë më shumë lëvizje për t’u shkëputur prej tij”, thotë Sonjah Stanley Niaah e universitetit ‘West Indies’.
Kryeministri i Australisë po kërkon mbajtjen e një referendumi për heqjen e monarkut britanik si kryetar shteti.Shtetet e Karaibeve Antigua e Barbuda si dhe Shën Lucia janë shprehur për plane të ngjashme.
Këtë javë, edhe autoritetet në Bahamas pohuan se është e mundur mbajtja e një referendumi të tillë. Një sondazh i zhvilluar në gusht para vdekjes së mbretëreshës tregoi se 56% e xhamajkanëve janë në favor të largimit të monarkut britanik nga pozita e kreut të këtij shteti.Vitin e kaluar ishulli Barbados u bë republikë, duke ndërprerë lidhjet me monarkinë britanike.
Pjesë e debatit është dhe trashëgimia e sundimit kolonial. Britania dhe vendet e tjera evropiane skllavëruan miliona afrikanë deri në shekullin e 19-të, duke i detyruar ata të punonin në plantacione në Karaibe dhe në kontinentet amerikane.
“Kjo pasuri e Komonuelthit i përket Anglisë, është diçka që ne kurrë nuk e kemi ndarë. Për ne në Xhamajkë, monarkia është një kujtesë e hidhur e të kaluarës sonë fatkeqe”, thotë Bert Samuels, i Këshillit të kompesimit të Xhamajkës.Monarkia ka shprehur dhimbje për abuzimet gjatë periudhës koloniale, por Britania nuk ka kërkuar zyrtarisht falje.