Tifozët kuqezi shpresonin shumë të shihnin Armando Brojën në versionin e tij shpërthyes, por talenti shqiptar nuk ishte në ditët e tij më të mira, aq sa në sfidën kundër Islandës, Edy Reja i rezervoi stolin. Pavarësisht paraqitjeve jo pozitive me fanellën e Kombëtares, Broja mbetet një emër fiks në tregun e transferimeve, ndërsa së fundmi po përforcohen edhe më shumë zërat për një interesim nga ana e Milan.
Maldini dhe pjesa tjetër e stafit drejtues janë të bindur se nuk mund të shkojnë shumë gjatë me dyshen Giroud-Ibrahimovic, nuk ofrojnë garanci as Rebic dhe Origi, për ketë arsye po studiojnë tregun për të gjetur një sulmues të ri. Armando Broja është një profil që Maldini e pëlqen shumë, ndërsa vlera e tij e kartonit shkon deri në 30 milionë euro. Mbetet për tu parë se si do të evoluojë forma e Brojës deri në fund të këtij sezoni, ku një rol përcaktues pritet të ketë edhe trajneri i ri i Chelsea.