Nga John Klessinger/

Prej 21 vitesh jam mësues në një shkollë të mesme. Kam dhënë mësim matematikë, studime sociale, lexim, edukim fizik etj. Disa vjet më parë, u dhashë si dhuratë nxënësve të mi që po diplomoheshin një ese me titull “15 gjërat që nuk i mësova dot në gjimnaz, por që do doja t’i kisha mësuar”. E doja shumë atë grup. Ata ishin që të gjithë nxënës të mirë dhe kishin një etikë pune të mirë. Ndaj, kur po përgatisja provimin e tyre përfundimtar, reflektova mbi kohën kur isha vetë maturant dhe pranë diplomimit. Mendova për gjithçka që mësova si i rritur, dhe që do të doja të dija si “fëmijë”. Gjëra që nuk i ka diskutuar askush ndonjëherë, apo që edhe nëse i kanë diskutuar, nuk ishin aq të rëndësishme për mua që t’i kujtoja.

Me shumë gjasa, që të dyja janë njësoj të vërteta. Ekziston një thënie që thotë: “Kur studenti të jetë gati, mësuesi do të jetë aty.” E di që në atë kohë nuk isha gati për listën që do të rendis më poshtë. Dhe në fakt nuk mendoj se shumica e 18-vjeçarëve janë gati për të. Por do të habiteshit se sa nga të rinjtë që mësova, do të kthehen dhe thonë: “A ju kujtohet kur e thatë këtë..?” Nxënësit ju dëgjojnë, por ndonjëherë nuk ju dëgjojnë derisa të jenë gati. Si mësues, ja cilat janë 15 gjërat që nuk i mësova kur isha në shkollë, dhe që gjykoj se duhet t’i dini:

1.Shtrëngoni duart si duhet me të tjerët

Një shtrëngim duarsh i duhur është shumë i rëndësishëm. Ai lë jo vetëm një përshtypje të mirë ndaj dikujt që e takoni për herë të parë, por gjithashtu krijon një frymë besimi tek vetja. Gjatë jetës tuaj do të shtrëngoni mijëra duar, dhe do të lini mijëra përshtypje të para. Ndaj mësoni të keni një shtrëngim duarsh të mirë dhe të jeni vigjilentë nëse po përshëndetni një person të panjohur apo një mik të vjetër.

2.Synoni të jepni gjithmonë më të mirën tuaj

Të japësh më pak se më e mira është sjellje prej një njeriu dembel. Kjo qasje muk të çon askund në jetë, dhe do t’iu lërë vetëm prapa. Ndaj përpiquni të jepni më të mirën tuaj në gjithçka që bëni. Bëhuni një njeri që synon lart. Nuk mund t’i arrini gjithmonë synimet tuaja më të mëdha, por do të jeni shumë më pranë se ata që nuk kanë dhënë maksimumin.

3.Mos u mburrni para cilitdo mbi meritat tuaja

Unë nuk kam takuar asnjëherë dikë që të më ketë pëlqyer, dhe që kam menduar se është e nevojshme të më vërë në dukje meritat e tij. Ruajeni CV-në tuaj për aplikimet për punë dhe intervistat që do të jepni. Askush nuk e pëlqen një njeri që edhe pa e pyetur nis të tregojë se çfarë universiteti ka mbaruar, në çfarë sporti ka shkëlqyer, apo se cilët njerëz të rëndësishëm njeh.

4.Mos u ankoni pa fund

Këtë pyetje ua drejtoj çdo semestër nxënësve të mi. “A ju pëlqen dikush që vetëm ankohet”. Dhe asnjë nuk më ka thënë po. Që të gjithë e dimë këtë, por e kemi të vështirë që ta ndjekim këtë këshillë. Qaramanët të thithin gjithë energjinë pozitive që ke. Ndaj qëndroni larg tyre dhe mundohuni që në jetë të mos jeni një njeri i tillë. Ruajini ankesat për t’ia shprehur ndonjë miku të ngushtë apo bashkëshortes. Jo të gjithë me të cilët komunikoni çdo ditë duan të dëgjojnë se çfarë po shkon keq në jetën tuaj.

5.Entuziazmi ka një efekt real në jetën e njeriut

Mund të duket si një “klishe”, por është e vërtetë. Ndjenja e entuziazmit mund ta ndryshojë një situatë nga sfiduese në shpërblyese. Ndaj kini energji pozitive në rapotrt me punën, familjen apo pasionet që keni. Entuziazmi është ngjitës. Nëse jeni entuziast, edhe njerëzit e tjerë përreth do të jenë entuziastë si ju.

6.Gjeni një mentor

Ne mund të mësojmë shumë nga njerëzit e tjerë. Qoftë në profesionin tonë, pasionet, shëndetin dhe mirëqenien tonë, kalimi i kohës me njerëz që janë “më të mirë” se ne dhe nga të cilët mund të mësojmë, do ta përshpejtojë përparimin tonë. E përse të ri-shpikni “timonin”, kur dikush e ka tashmë?

7.Kopjoni

Bashkë me gjetjen e një mentori, filloni që të vëzhgoni ata që admironi. Nëse doni të keni besim tek vetja, shihni më vëmendjen sjelljen e njerëzve me vetëbesim. Si e lëvizin trupin? Çfarë thonë ata? Kopjimi i sjelljes së të tjerëve është diçka e shpejtë dhe e lehtë, dhe nuk kërkon para apo burime.

Interneti na ofron një mori materialesh falas. Ne mund t`i përdorim ato në avantazhin tonë. Nëse doni të keni më shumë vetëbesim, atëherë shihni në internet videon e një personazhi publik që personifikon besimin tek vetja. Kopjoni atë që bën ai. Më pas mendja do të ndjekë trupin tuaj.

8.Jini modestë

Një nga tiparet më të mira të karakterit të një individi është dikush që bën gjëra të jashtëzakonshme dhe që nuk ndjen nevojën të mburret para të tjerëve. Shoqëria e sotme, e çoroditur nga mediat sociale i ka humbur gjurmët e kësaj cilësie të jashtëzakonshme personale. Ne të gjithë e duam personin e përulur, megjithëse e dimë se ata janë “të këqij” në jetën reale.

9.Bëni shpeshherë gjëra që ju frikësojnë

Sa herë që bëjmë diçka sfiduese, stresuese, të frikshme ose të pakëndshme, kemi një mentalitet më të fortë. Tamam si një llastik, pasi e shtrin herën e parë, ai tërhiqet mbrapsht. Ju e shtrini atë sërish, dhe në fund ai nuk kthehet më në formën e tij origjinale. Të bësh gjëra që të trembin është e ngjashme me llastikun. Sa më shumë që bëjmë gjëra që janë jashtë zonës sonë të rehatisë, aq më shumë distancohemi nga mentaliteti ynë i vjetër mbi atë që është sfiduese, dhe aq më të fortë bëhemi.

10.Ushtrohuni fizikisht

Stërvitja ju bën të ndiheni më mirë. Ajo ju ndihmon të flini më mirë, dhe ju jep mundësi të mendoni më mirë. Dhe nuk ka nevojë që të shkoni domosdoshmërisht në një palestër. Dilni shëtitje në natyrë, ose bëni disa pompa në kushtet e shtëpisë. Çdo gjë është më e mirë se asgjë, dhe ju do të përmirësoni gjendjen tuaj shpirtërore. Nuk është sekret që njerëzve që vuajnë nga ankthi dhe depresion u rekomandohet të merren me sport për lehtësimin e simptomave.

11.Buzëqeshni shumë

Kur buzëqeshni, gjendja juaj psikologjike ndryshon pothuajse automatikisht. Nuk po flas për një buzëqeshje të rreme, por për një buzëqeshje vërtetë të madhe, e cila do t’ju bëjë të ndiheni më mirë. Ndërkohë buzëqeshja i qetëson edhe të tjerët. Kjo ju bën njerëz më të afrueshëm, dhe njerëzit do të duan të jenë me ju.

12.Kujdes gjuhën që përdorni

Nuk po flas për përdorimin apo mospërdorimin e fjalëve fyese, po për ndryshimin e përkufizimit tonë mbi fjalët që na japi forcë. Unë përdor fjalën “argëtim” për të përshkruar aktivitetet që na bëjnë më të mirë. Një punë e vështirë është “argëtim”. Po ashtu edhe leximi i një libri sfidues. Nëse i barazoni detyrat e vështira me mundësitë për përmirësim si një “argëtim”, ato do të jenë shumë më të këndshme dhe më pak të mundimshme.

13.Jini mirënjohës ndaj gjërave që keni

Ka shumë gjëra për të cilat duhet të jeni mirënjohës në këtë jetë. Është e vërtetë, ndonjëherë është e vështirë të ndihesh mirënjohës. Një nga familjarët mund të jetë i sëmurë. Ke disa faturat që presin të paguhen. Të gjithë kemi gjërat tona që nganjëherë na e vështirësojnë jetën. Ashtu si një top bore që rrokulliset mbi dëborë, ajo mbi të cilën fokusohemi do të rritet. Ndaj përqendrohuni tek gjërat e mira dhe do të shihni më shumë gjëra të mira në jetën tuaj.

14Bëjuni të tjerëve shpesh komplimente

Njerëzve u pëlqen të dëgjojnë gjëra të mira për veten e tyre. Ndaj bëjini ata të ndihen mirë. Kjo ju bën edhe juve që të ndiheni më mirë. Thuajini dikujt që ju pëlqen mënyra sesi i mban flokët. Se ka një buzëqeshje të bukur. Se i pëlqeni këpucët që kanë blerë. Me kaq shumë negativitet përreth, pak energji pozitive është gjithmonë e mirëpritur. Sa më shumë komplimente të jepni, aq më shumë do të merrni në këmbim. Nuk e di si funksionon, por kështu ndodh.

15.Merrni përgjegjësi të plotë për gjithçka në jetën tuaj

Kur merrni përgjegjësinë e plotë mbi gjithçka që bëni, jeta juaj do të ndryshojë për mirë.

Nuk ka më faje. Jo më apati. Ndaj vendosni të merrni përgjegjësi dhe mbajeni veten përgjegjës për gjithçka. Kur e bëni këtë, do të ndryshojë bota dhe njerëzit përreth jush. Ju nuk jeni më në mëshirën e të tjerëve apo rrethanave. Do të bëheni një pjesëmarrës aktiv me një zgjedhje për t’i bërë gjërat më mirë ose më keq.