Tifozët e Liverpulit kanë frikë se fanella e re e dytë është e mallkuar. Ata fajësojnë bluzën e bardhë për mungesën e rezultateve këtë sezon, sepse sa herë e kanë veshur janë mposhtur.
“Reds”-at nuk kanë fituar ende jashtë “Anfield” në Premier Ligë këtë sezon dhe disfata me vendin e fundit, Notingem Forestin të shtunën ishte e treta për ta këtë kampionat. Dhe në të tria këto ndeshja (edhe kundër Mançester Junajtidit dhe Arsenalit), nënkampionët kishin veshur fanellën e dytë.
Liverpuli ka fituar vetëm 1 herë këtë sezon jashtë fushe dhe ajo ka qenë fitorja 7-1 ndaj Glasgou Rejnxhërsit në Champions. Në transfertën në Skoci Salah me shokë ishin veshur me uniformën e kuqe.
“Mallkimi i kësaj fanellë është i vërtetë”, shkruanin shumë tifozë në rrjetet sociale. E sigurt është se sot ndaj Ajaksit, ata do të prezantohen me fanellën e kuqe.
Anglezët mund të sigurojnë kualifikimin me një barazim, ndërsa trajneri gjerman në lidhje me rekordin në transfertë tha në konferencë: “Në këtë kompeticion kemi humbur një ndeshje dhe fituar një. Nuk e kam menduar për këtë rekord. Kam pasur gjëra të tjera për të bërë ditët e fundit”.
Gjermani rrezikon të jetë pa shërbimet e Tiagos, ndërsa Konate mund të luajë minuta.
“Tiago është ende jashtë. A është në dyshim për nesër? Shpresoj që jo, por kush e di? Darvin është mirë, është stërvitur normalisht prej dy ditësh. Në këtë moment është i gatshëm. Konate është këtu dhe mund të luajë minuta. Nga minuta e parë nuk do të kishte shumë kuptim. Ajaksi është një skuadër e rrezikshme. Do të ishte e shkëlqyer në rast se do të kualifikoheshim që pas kësaj ndeshjeje, por unë nuk mund të ulem këtu dhe të them sesi ndihem, sepse nuk e kemi bërë ende. Pas nisjes së fazës sonë të grupeve, njerëzit nuk mendonin se kishte mundësi të ndodhte që në ndeshjen e pestë. Por tani mund të ndodhë dhe ne duhet ta mbyllim këtë çështje”, është shprehur Klop.