Çmimet kanë rënë me pothuajse 65 për qind, që nga koha kur arritën rekordin e të gjitha kohërave në muajin gusht. Depozitat e gazit në të gjithë kontinentin janë të mbushura plot, gati për të furnizuar shtëpitë dhe industrinë këtë dimër. Edhe cisternat e gazit të lëngshëm natyror (LNG), të cilat blerësve të dëshpëruar iu desh të bënin gjithçka për t’i larguar nga Azia, tani janë aq të bollshme sa po krijohen bllokime trafiku jashtë terminaleve evropiane teksa ato presin që të shkarkohen. Pas muajsh frikë nga një dimër i rrethuar nga mungesat dhe mjerimi i shkaktuar nga përdorimi si një armë i furnizimeve me gaz nga Rusia, shumica e tregtarëve do ta pranojnë se situata energjitike e Evropës është përmirësuar. Moti më i ngrohtë se normalja e stinës në javët e fundit e ka vonuar fillimin e sezonit të ngrohjes, duke lënë një sasi më të madh gazi për muajt e dimrit, në një kohë që bizneset evropiane e kanë ulur ndjeshëm konsumin. Por një nivel kujdesi mbetet gjithmonë i pranishëm. Të guxosh të besosh se kriza energjetike është zgjidhur disi, është e rrezikshme duke pasur parasysh shkallën e sfidës së mbetur. Çmimet mbeten ende jashtëzakonisht të larta, sidomos për fillimin e vitit të ardhshëm, kur vjen moti i ftohtë, dhe mbeten ende shqetësimet se Evropa mund t’i harxhojë me shpejtësi rezervat e saj të gazit, duke çuar në shtrëngime ekstreme të furnizimeve pas Krishtlindjeve.

Gazi me një çmim rreth 115 euro për megavat orë, është ende i barabartë me pothuajse 180 dollarë për fuçi nafte. Kontratat e nënshkruara për në dhjetor dhe janar janë mbi 230 dollarë për fuçi. “Në Evropë njerëzit janë paksa të vetëkënaqur. Çmimet kanë rënë këtë javë, depozitat për dimrin janë plot. Por mendoj se është shumë herët për të thënë se gjithçka do të jetë mirë. Ne nuk mund ta dimë se sa i ftohtë do të jetë dimri. Variabli i madh në këtë situatë është moti”- thotë Alex Tuckett, krye/ekonomist i “CRU Group”, kompani konsulente për mallrat. Por të tjerët janë pak më optimistë. Henning Gloystein nga “Eurasia Group”, mendon se Evropa i ka mundësitë të jetë disi më e sigurt, pasi i ka mbushur me sukses që gjatë verës depozitat e saj të gazit – mjaftueshëm për të përballuar rreth 2muaj kërkesë për gaz – edhe pse me një çmim jashtëzakonisht të lartë. “Depozitat e mbushura plot e bëjnë më pak të mundshëm racionimin e madh të energjisë dimërore apo edhe ndërprerjet e saj, duke zvogëluar potencialisht – edhe pse jo duke e parandaluar – një recesion ekonomik të pritshëm”- shprehet Gloystein.

Por dominimi i motit mbi tregun e gazit, nënkupton se se ai nuk është plotësisht i përgatitur të thotë se më e keqja ka kaluar. Nëse dimri është i butë, atëherë Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, mund ta mbyllë sezonin me hapësirat e saj të magazinimit gati gjysmë të mbushura. Por nëse do të jetë pak më ftohtë sesa normalja, atëherë “rezervat gjermane të gazit do të shterojnë deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm, gje që do të impononte ndoshta racionimin e vonshëm apo ndërprerjet e furnizimit për dimrin e ardhshëm tha Gloystein. Dhe ky skenar çon në një nga frikërat më të mëdha të industrisë: edhe nëse Evropa mund ta kalojë deri diku në normalitet këtë dimër, viti i ardhshëm mund të jetë më i keq. Pranvera do të sjellë pak pushim nga kriza e menjëhershme. Por tregu i gazit nuk ndalet. Kur bie kërkesa për ngrohje, nis nga e para gara për rimbushjen e depozitave të magazinimit.

Por në dallim nga 6 muajt e parë të këtij viti, kur furnizimet ruse vazhduan përgjithësisht në nivele normale drejt Evropës, pavarësisht pushtimit të Ukrainës nga Moska, supozimi duhet të jetë se vitin tjetër flukset energjetike do të jenë afër zeros. Prandaj kontinenti do të përballet me një betejë të vështirë për të nisur dimrin e viteve 2023-2024 në një pozicion po aq të vështirë sa është edhe sot.
Evropa ka shfrytëzuar tashmë gati çdo burim të disponueshëm të gazit, nga rritja e importeve të LNG-së deri tek kërkesa që Norvegjia të maksimizojë prodhimin e saj për muaj të tërë në të ardhmen. Deri në mesin e kësaj dekade, pritet të ketë pak sasi shtesë të furnizimit global. BE-ja do të rrisë aftësinë e saj për të importuar LNG përmes terminaleve lundruese në Gjermani dhe Holandë. Por vendet unionit do të konkurrojnë për të njëjtën sasi të kufizuar gazi. Dhe pa gazin rus, Bashkimit Evropian do t’i duhet edhe më shumë LNG gjatë 12 muajve të ardhshëm. Prandaj çmimi aktual relativisht i ulët i gazit mund të vazhdojë vetëm për njëfarë kohë. Tregu i së ardhmes po i reflekton tashmë këto shqetësime, me kontratat me një çmim mbi 200 dollarë për fuçi që janë të njëjta edhe për 3-mujorin e parë të vitit 2024.

Çmimet më të ulëta mund të shfaqen ende. Drejtuesit e kompanive energjetike në Evropë, mendojnë se nuk e kemi parë goditjen e fortë të krizës aktuale, pasi disa kompani janë ende të mbrojtura nga kontratat afatgjata që i furnizojnë ato me gaz me çmime shumë më të ulëta sesa normat e tregut. Me përfundimin e kontratave në muajt në vijim, ne duhet të presim që më shumë të biznese të cënueshme të futen në krizë për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Dhe çmimet janë mënyra klasike e tregut për të ulur kërkesën. Por mos prisni që këto kompani të humbasin të ardhurat e tyre në mënyrë që gazi të jetë pak më i lirë. Në rast se Franca do të mund të rivendosë në punë të gjithë termocentralet e saj bërthamore, që aktualisht janë në remont e sipër, atëherë mund të kemi një situatë disi më pozitive, pasi më pak gaz do të duhet të konsumohet për të prodhuar energji elektrike në të gjithë kontinentin. Por rezultati më i mundshëm është që qeveritë do të jenë gati të ofrojnë një mbështetje të konsiderueshme për familjet gjatë 18 muajve të ardhshëm. Ndërkohë kufizimi i buxheteve familjare të klasës së mesme ka të ngjarë të shtojë presionet ekonomike. Atëherë, a po fiton Europa? Në planin afatgjatë, kjo krizë po tregon se ekonomitë e tregut janë të afta të gjejnë një rrugëdalje. Por fatkeqësisht më parë duhet të përjetojmë jo pak vështirësi.