Është një shkrimtar tanzanian dhe në 2021 ka marrë Çmimin Nobel për Letërsinë. Romanet e tij janë të frymëzuar nga historia afrikane dhe denoncojnë dhunat dhe racizmin me të cilat është njollosur Europa.

Në mesin e shtatorit ka dalë në Gjermani libri i ri i Abdulrazak Gurnah, Nachleben (Zëra në arrati). Kur një vit më parë ka marrë Nobelin për Letërsinë, shkrimtari 73 vjeçar tanzanian i natyralizuar britanik njihej tashmë në mjedisin anglishtfolës dhe kishte qenë emëruar shumë herë për Booker Prize, çmimin letrar me prestigjioz të Mbretërisë së Bashkuar. Por kur ka fituar Nobelin në Gjermani asnjë prej librave të tij nuk ishte i disponueshëm dhe të fundit as nuk qenë përktheyer. Në librari romanet e tij nuk gjendeshin, edhe pse Gurnah me veprën e tij kishte hedhur dritë pikërisht mbi krimet e kryera nga gjermanët në ish kolonitë e Afrikës Lindore, kur në fillimet e ‘900 shtypën me forcë revoltën e popullsive kundër dominimit kolonial. Dogjën fusha dhe fshatra duke shkaktuar zi buke, masakruan krerët afrikanë dhe i ngulën nëpër hunj kafkat e tyre. Pastaj, kur luftuan Luftën e Parë Botërore kundër fuqive të tjera koloniale në rajon shklatërruan atë që sot është Tanzania. Gurnah nuk ia treguar këto histori vetëm tek Zëra në arrati, por në këtë roman e bën me intensitet të veçantë, duke treguar efektet e brutalitetit të Gjermanisë kundrejt afrikanëve deri në Luftën e Dytë Botërore e më tej.

Abdulrazak Gurnah ka lindur në 1948 në ishullin e Zanzibarit, që sot është pjesë e Tanzanisë. Familja e tij vjen nga pakica arabe myslimane që ka modeluar ekonominë dhe politikën e ishullit. Në 1968, kur ishte 20 vjeç, për shkak të klimës së rëndë politike u transferua në Mbretërinë e Bashkuar, u bë pedagog i Letërsisë Angleze e Paskoloniale dhe, në vitet ‘80, filloi të shkruajë romane. Sot jeton në Canterbury, një qytet në jugperëndim të Londrës, i famshëm prej katedrales së tij dhe pse është selia e Kishës Anglikane. Shkoj për ta takuar të nesërmen e vdekjes së mbretëreshës Elizabeta e II. Gurnah banon në një rrugë anonime, në një prej shtëpive monofamiljare tipike të Mbretërisë së Bashkuar, një apartament mjaft i thjeshtë dhe i bukur në klasicitetin e tij të privuar nga salltanete. I bie ziles dhe, pa thënë asnjë fjalë, por duke u treguar i përzemërt, Çmimi Nobel më fut brenda dhe më thotë ta ndjek në dhomën e ndenjes, ku ka divanë tek cilët mund të ulemi për qejf. Më shërben një filxhan të madh çaji, një grumbull me çokollata dhe pret pyetjen e parë. Gurnah është një bashkëbisedues serioz, i sjellshëm dhe sforcohet të gjejë gjithmonë fjalët e duhura. Është aq i përqëndruar mbi gjërat që do të thotë sa që është shumë e vështirë ta bësh të flasësh pakashumë. Diskutojmë për kolonializmin dhe veprat e tij, në mënyrë të veçantë për romanin e tij të ri.

Farsa e qytetërimit

Historia e Zërave në arrati sillet rreth katër personazheve kryesorë dhe bën një panoramike të gjerë të luftërave koloniale në Afrikën Lindore. Një prej protagonistëve quhet Hamza dhe është një figurë tipike e romaneve të Gurnah. Kur ishte fëmijë, për shkak të borxheve, familja e tij e ka ceduar tek një tregëtar. Jeton si skllav, i nënshtruar, pa perspektiva. Si shumë të rinj afrikanë të epokës, Hamza bashkohet me Schutztruppe, ushtrinë koloniale gjermane, duke u bërë kështu një askar, siç quhen ushtarët afrikanë që i shërbenin perandorisë dhe përbënin pjesën më të madhe të trupave në vend. Hamza bëhet asistent i një komandanti që ka një interes të qartë seksual ndaj tij. Komandanti luhatet midis dhunës dhe dashuriës, i mëson djalit gjermanisht dhe e njeh me veprën e Friedrich Schiller. Në fund të fundit, sipas perandorisë, ajo koloniale kishte edhe një “mision qytetërues”.

Në veprën e Gurnah trashëgimia humaniste që gjermanët u propozojnë afrikanëve natyrisht që rezulton një farsë. Lexojnë Schiller, Goethe, Heine dhe pastaj u vënë zjarrin fshatrave të tëra. Kanë pretendimin e sjelljes në Afrikë e më të mirës së kulturës, por i fshikullojnë sipas qejfit të nënshtruarit e tyre në ushtri. Pushteti që ushtrojnë mbi afrikanët vjen edhe nga një ndjenjë superioriteti kulturor. Poezia nuk kufizohet në kamuflimin e dhunës, i është pjesë përbërëse. Gurnah tregon për gjyshin e tij ose më mirë për dajën e nënës së saj, që në familje për thjeshtësi e quajnë gjysh. Si fëmijë Gurnah dëgjoi ë flitet për herë të parë për gjermanët pikërisht nga ai. Gjyshi kishte qenë i rekrutuar si hamall nga Schutztruppe. Në luftë ushtarët afrikanë nën komandën gjermane niseshin në mision bashkë me familjet e tyre dhe duhej të transportonin në vende të thella si pajisjet ushtarake, ashtu edhe pajisjes shtëpijake. Midis hamejve, shpesh të zbathur përgjatë rrugës, të privuar nga kura mjekësore dhe të trajtuar brutalisht, përqindja e vdekjeve ishte shumë e lartë. Shumë dezertonin sapo mundeshin. Ka mundësi që qe edhe rasti i gjyshit të tij, mendon Gurnah. Zërat në arrati rrëfen kushtet e jetesës së mjerë të hamejve, e përpjekjeve të afrikanëve të rekrutuar për të bërë karrierë në ushtrinë gjermane në tmerrin lakuriq në të cilin rrëshqasin pa e kuptuar fare.

Të ardhurit e fundit

Fëmijëria dhe rinia e tij, thotë Gurnah, janë shoqëruar nga historitë për gjermanët. Në atë kohë, shpjegon shkrimtari, kolonizatorët e kishin lënë vendin prej shumë kohësh, por vazhdonin të trazonin kujtesën e të moshuarve: “Gjermanët kishin qenë të fundit që kishin ardhur, ndjeheshin në vështirësi dhe të kërcënuar, ndoshta edhe për këtë arsëye silleshin në mënyrë kaq brutale. Nuk patën ardhur si tregëtarë, siç kishin bërë fillimisht fuqitë e tjera koloniale, por si pushtues”. Në një pikë të caktuar të romanit Hamza plagoset rëndë nga një tetar i çmendur i njësisë së tij, xheloz nga afërsia e tij me komandantin. Familja e një kleriku gjerman kujdeset për të plagosurin derikur nuk do të kthehet në shtëpi, në breg. Aty takon të renë Afiya, e cila pret më kot nga kthimi prej luftës vëllain e saj Ilyas. Edhe Ilyas i është bashkuar Schutztruppe me një entuziazëm të caktuar. Në romanin e Gurnah, historia e Ilyas frymëzohet lirisht nga një figurë realisht e ekzistuar, ajo e Bayume Mohamed Husen. Husen, një ish askar, shkoi në Berlin nga fundi i viteve ’20 të Nëntëqindës për të plotësuar pagën e tij dhe në vijim u bë aktor, duke luajtur në një film propagande naziste përkrah Zarah Leander dhe Hans Albers. Pati një marrëdhënie me një grua gjermane, që i solli akuzën e “infektimit racor”. u arrestua dhe vdiq në kampin e përqëndrimit të Sachsenhausen, në perëndim të Berlinit.

Duke rimenduar për fatin e Ilyas, Gurnah pyet nëse në fund ka ndonjë vijueshmëri midis kolonializmit dhe krimeve naziste. “Nuk po kërkoj t’i barazoj këto dy ngjarje historike”, shpjegon ai, “por natyrisht gjermanët, me ndjenjën e tyre të superioritetit kulturor, nënshtronin me forcë popujt e tjerë, kështu që jam i sigurtë për lidhjet. Pas Luftës së dytë Botërore nuk është ndjerë nevoja e bërjes së llogarive me krimet e kryera në Afrikë, pasi në atë kohë u përqëndrua vetëm mbi nazizmin. Gjërat dukeshin se qenë ndryshuar vetëm së fundmi”. Gurnah thotë se ka studiuar shumë histori askarësh, që pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u transferuan në Gjermani në kërkim të mirënjohjes. Disa tentuan bile t’i bashkoheshin partisë naziste: “Ajo që më ka goditur gjithmonë shumë është se në Afrikë afrikanët kanë bërë luftë për ta: gjermanët me askarët e tyre, anglezët me King’s African Rifles, belgët me Force Publique. Ka shumë motive: në atë kohë kishte akoma një identitet afrikan. Ishte dëshira e bërjes pjesë së modernizmit. Ishin në lojë para dhe për të rinjtë vajtja në luftë ishte aventureske. Lufta u mundësoi atyre gjeneratave të shpëtonin nga një mjedis pa perspektiva dhe nuk ndjeheshin tradhëtarë, pasi luftonin larg nga fshatrat e tyre”. Gurnah është i vetëdijshëm se kolonialistët europianë nuk gjendeshin sigurisht në një situatë idiliake kur shkelën këmbë në Afrikën Lindore. Në romanin më të njohur, Parajsa, i botuar për herë të parë në vitin 1994, rrëfen konfliktet e lidhura me bashkëjetesën e vështirë midis tregëtarëve arabe e indianë dhe popullsisë zezake në bregun lindor afrikan. Por qenë të parët europianët, që me superioritetin e tyre ushtarak dhe teknik, sollën në rajon luftën moderne, me shfarosjet, genocidet dhe racizmin. Zëra në arrati mund të lexohet si vijimi i Parajsës. Romani i parë konkludon me fillimin e Luftës së Parë Botërore, Zëra në arrati i rrëfen zhvillimin.

Gratë e klerikut gjerman që kuron Hamza i dhuron askarit të plagosur një libër, që për hir të së vërtetës është një vëllim i Tetëqindës i Heinrich Heine, Mbi historinë e religjionit dhe të filozofisë në Gjermani. Në tekstin e Heine ka një refleksion të famshëm mbi faktin që gjermanët e kanë filluar vonë procesin e ndërtimit të kombit dhe mbi dëshirën fatale të tyre për ta rikuperuar kohën e humbur. “Tingëllimi gjerman nuk është shumë i zhdërvjelltë dhe vjen duke u rrotulluar paksa me ngadalë, por do të vijë”, shkruan Heine, “dhe kur do të dëgjosh një kërcitje si kurrë më parë në historinë e botës, dije se tingëllima gjermane më së fundi ka goditur në shenjë”. Fatkeqësisht ishte një analizë e drejtë dhe Gurnah tregon se “tingëllima gjermane” për të cilën flet Heine nuk ka shpërthyer vetëm në Europë, por edhe në Afrikë, është magjepsëse të vëresh fatin e historisë gjermane nga një perspektivë afrikane, por Zëra në arrati, natyrisht, nuk ezaurohet në rindërtimin e ngjarjeve historike. Romani flet për historinë e dashurisë midis Afiya dhe Hamza, për tentativën e daljes nga tmerri i luftës për të ndërtuar një jetë dhe sesi dhuna, pavarësisht gëzimeve të dashurisë, e gjen mënyrën për të penetruar përgjithmonë në trup, në mendimet dhe në ëndërrat e protagonistëve, duke ndjekur deri trashëgimtarët e tyre. Romanë është shkruar me një gjuhë të privuar nga metaforat, me një stil të thjeshtë që përputhet me përmbajten, pasi brutaliteti nuk toleron ushtrime stili.

Heshtje mbi mbretëreshën

Në fund të takimit tonë, do të doja t’i flisja për vdekjen e mbretëreshës Elizabeta e II, por Abdulrazak Gurnah i tërhiqet menjëherë argumentit. Nuk do të thotë asnjë fjalë mbi monarkinë britanike dhe mbretin e ri. Vëmendja e tepruar e botës ndaj lajmit i vret nervat. Ndoshta e bezdis vetëcelebrimi pompoz i një kombi, besimi i palëkundur tej vetëvetja që shfaqet në skenografinë e suksesionit ndaj fronit. Hipim në makinën elektrike të tij dhe më shoqëron në stacionin më të afërt. Në provincën britanike qielli është i pafundëm dhe gri. Gurnah më përshëndet me përzemërsi. Në tetor do të vijë në panairin e librit të Frankfurtit dhe do t’u paraqesë gjermanëve një roman që tregon historinë e censuruar të ndërmarrjes së tyre imperialiste në Afrikë, një histori që nuk mund të harrohet.

Die Zeit- Përgatiti: Armin Tirana