Ditën e sotme gjatë një vizite zyrtare në qytetin e Korçës, ambasadorja e BE-se Christiane Homann, ka folur për samitin e BE-së që për herë te parë do të organizohet jashtë Unionit, pikërisht në Shqipëri.
Homann tha se ky samit është shumë i rendesishëm për Unionin pasi të gjithë liderat e Europës do të mblidhen në 6 Dhjetor në Shqipëri, ndërsa shtoi se publiku shqiptar duhet të kujtojë gjetjet e progres raportit të KE pasi aty shpjegohet situata në të cilën ndodhet vendi.
Pyetje: Sa i rëndësishëm është samiti i dhjetorit për Shqipërinë?
Ambasadorja: Në fakt është hera e parë që samiti ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor vjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për herë të parë në Shqipëri dhe kjo tregon sa i rëndësishëm është ky vend për ne dhe anëtarësimi i këtyre vendeve në BE si dhe puna që këto vende do të bëjnë. Në Shqipëri në datën 6 dhjetor do të vijnë liderët e të gjithë BE-së që do të diskutojnë çështje shumë të rëndësishme për të ardhmen e e BE.
Pyetje: Niveli i kriminalitetit dhe i korrupsionit në Shqipëri mbetet ende i lartë. Edhe Policia është përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale. Si ndikon kjo në integrimin e Shqipërisë në BE?
Ambasadorja: Besoj se e dini që para dhjetë ditësh, KE ka publikuar Progres Raportin dhe ai e shpjegon shumë qartë ecurinë në të cilën gjendet vendi. Dhe në fakt për të gjithë ata që janë të interesuar, ju mund ta lexoni, ku një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit, se sa punë është bërë dhe sa duhet bërë dhe është i qartë për çështjen e sundimit të ligjit.