Teknika e fundit e Berlusconi-t është të duket pak i shastisur, sikur harron dhe kështu mund të justifikojë disa tmerre që dalin nga goja e tij.

Për shembull: nuk ka asgjë të vërtetë në atë çka ju thotë deputetëve dhe senatorëve të tij për shkëmbimin e dhuratave me Vladimir Putin.

Ishte kaq i rremë ky lajm saqë Silvio ia ktheu kortezinë me shishe Lambrusco (lloj vere) dhe një shënim të po ashtu të ëmbël.

Shkëmbimi i shisheve me alkool në fakt ka ndodhur, sigurisht, por daton në vitin 2008: kohë të tjera pije të tjera.

Burime në Arcore (rezidencën e Berlusconi-t) e reduktojnë atë në një boshllëk kujtese që mund t’u ndodhë të rinjve, e lëre më gjyshërve si ai.

Sa i përket kontakteve me Putin-in (“ne kemi rilidhur marrëdhëniet, qoftë edhe pak”), edhe ato duket se janë të gjitha shpikje të Berlusconi-t.

Një dalje vetëm për të mahnitur audiencën, për të tërhequr pak vëmendjen.

Duke gjykuar nga zhurma, Silvio pati të drejtë sepse arriti të ketë sukses në një mënyrë të shkëlqyer, megjithëse stafit të tij nuk i rezulton se ka asnjë linjë të drejtpërdrejtë, asnjë kontakt kohët e fundit me Kremlin-in, më së shumti ndonjë gjë jo direkt.

Gjithsesi nuk ka asgjë për të cilën fuqitë perëndimore duhet të shqetësohen, veçanërisht tani që e djathta ka ardhur në qeveri dhe Forza Italia po kërkon pjesën në emërimet e ministrave.

Duhet theksuar që Berlusconi nuk po komandon më as brenda partisë, e cila është kthyer në një cirk.

Do të ishte e pa imagjinueshme nëse ai mund t’i imponojë Giorgia Meloni-t një kthesë pro-Putin, e cila aktualisht po e trajton ftohtë dhe po e sfidon pa frikë.

Siç dihet në pasazhet kyçe të çerekshekullit të fundit, Silvio ka qenë gjithmonë në anën e SHBA-ve.

Kur janë kërkuar prova të besnikërisë, ai është përgjigjur “gati-tu”: në Afganistan, në Irak, madje edhe në Libi, duke tradhtuar kolonelin Gadafi.

Putin nuk do të ishte përjashtim. Por atij Putin i mungon. Atij i mungon gjithçka e Putin-it.

Shumë janë habitur me lidhjen mes dy personazheve kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri.

Kjo, duke pyetur veten se si mund të kishte lulëzuar diçka e ndjeshme midis një manjati nga Brianza dhe një agjenti të akullt të KGB-së.

Përgjigja gjendet në pyetje. Silvio ishte magjepsur nga disa tipare të jashtëzakonshme, nga karakteristikat jo të parëndësishme të Vladimir-it, ndër të cilat, së bashku me inteligjencën e tij, spikaste mizoria.

Mitike është historia që ai tregoi, para dëshmitarëve, për një udhëtim gjuetie, ku Putin-i i vuri një pushkë në dorë (“Nuk dija as ta mbaja, po dh… në brekë”) dhe vajtën në pyll të dy vetëm.

Kur kaloi një dre, Vladimiri “e goditi dhe e vrau në goditjen e parë; pastaj me hapa të mëdhenj vrapoi te kafsha që po ngordhte, me një thikë i çau zemrën dhe ma dha mua që ta gatuaja”.

Berlusconi e flaku në një shkurre pa ia kthyer sytë.

Por më pas ai i dha një pushkë precize Beretta; dhe për ta kënaqur, Berlusconi bëri gjestin e papërshkrueshëm të automatikut kundrejt një gazetareje ruse.

Kjo e fundit, në një konferencë shtypi kishte guxuar të pyeste Putin-in nëse do të divorcohej (me të drejtë e shqetësuar, gazetarja shpërtheu në lot).

Biznesi, natyrisht, ështe një tjetër pikë takimi mes të dyve. Në takimet e tyre ata kanë shkëmbyer dosje për projektet e energjisë, naftës, automobilave, hapësirës ajrore, gazit dhe miliardave.

Shtetet e Bashkuara kanë dyshuar prej kohësh se diçka tjetër fshihej pas këtij biznesi.

Por ata që i dinë faktet i konsiderojnë më shumë tym sesa zjarr, fantazi me pak substancë (boll të kujtoni gazsjellësin South Stream që nuk u ndërtua kurrë).

Por në fakt Silvio solli pak gjëra në krahasim me shumë të tjerë, goxha të rëndësishëm, të cilët në heshtje i hapën Rusisë autostrada të vërteta.

Nuk ka qenë kurrë te paratë sekreti i ndjenjës së tyre.

Sido që të jetë, ajo e ka bazën te ndjenja sublime, për Berlusconi-n, që ka gjetur tek Vladimir një partner, një ortak, një bashkëpunëtor me të cilin të sajojë plane madhështore, të mahnitshme, të pakonceptueshme për mendjet normale.

Në ditët pa fund që kanë kaluar së bashku duke shëtitur bashkë në Sochi në Detin e Zi, apo buzë liqenit Valdai, ose në Sardegna në Villa La Certosa, herë me fëmijë e bashkëshortë, por më shpesh pa ata, Silvio e ndjente veten në kërthizën e botës.

Për këtë arsye, ai tani po e vuan që shoku i tij nuk i përgjigjet në telefon, neglizhon këshillat e tij, bën pa të ashtu pikërisht kur dëshiron të pushtojë planetin. Në pritje të një telefonate e justifikon dhe e mbron, si në kohët e vjetra.

Marrë dhe përshtatur nga La Stampa për Albanian Post