Cilat janë blloqet e reja që do të qeversin botën dhe a po sjellin ato fundin e globalizmit?
Bota po ndahet në grupe të shumta, formale dhe joformale, të cilat po ri-dimensionojnë gjithçka nga zinxhirët e furnizimit tek qëndrueshmëria. Si fillim, ndërsa kombet anembanë botës po kërkojnë në mënyrë aktive të bëjnë kalimin tek makinat elektrike, një bllok i ri gjeopolitik po formohet në Amerikën Latine që mund të kthehet shumë shpejt në grupin që ‘lëviz gurët’ për të gjithë – nga Kina tek Tesla.
Kjo “aleancë e re e litiumit” që po formohet në Meksikë – vend i cili shtetëzoi industrinë e tij të litiumit në fillim të vitit – do ta bashkonte vendin me Argjentinën, Bolivinë dhe Kilin – katër vendet që kontrollojnë pjesën më të madhe të litiumit në botë – teksa ata kërkojnë të qeverisin prodhimin dhe tregtinë e një resursi që po bëhet me shpejtësi një nga mallrat më kritikë në botë. Por kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Bota po hyn në një periudhë “globalizimi vertikal”, me blloqe të reja gjeopolitike që po formohen në çdo cep të globit. Dhe ndërsa bota ndahet në grupe të shumta, këto blloqe të reja – si formale (pra aleancat) dhe joformale (korridoret tregtare) – mund të ridimensionojnë gjithçka, nga zinxhirët e furnizimit tek qëndrueshmëria.
Në Rajonin Indo-Paqësor, Shtetet e Bashkuara kanë propozuar “Chip 4”, një aleancë të gjysmëpërçuesve me Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin, me qëllim krijimin e zinxhirëve të furnizimit për çipat që nuk varen nga Kina dhe ndalimin e rritjes teknologjike të Pekinit. Aleanca po ‘ngre krye’ në të njëjtën kohë që “Semiconductor Manufacturing International Corporation” – prodhuesi më i madh i çipave në Kinë – hedh në treg një çip të avancuar të minierave të Bitcoin-it i cili bie në kundërshtim me sanksionet e SHBA-së, dhe teksa ide të reja radikale po shfaqen në shoqërinë kineze, si vendosja e një takse 400 % mbi pajisjet dhe celularët inteligjentë të shitur në vend që përdorin çipa të huaj dhe jo kinezë. Ndërkohë, në Lindjen e Mesme, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë bashkuar forcat me Indinë dhe SHBA-në për të nisur “I2U2”, një bllok i ri për të çuar përpara inovacionin. Takimi i parë i grupit përfundoi me një sërë marrëveshjesh, duke filluar nga ndërtimi i “parqeve ushqimore” nga Emiratet e Bashkuara Arabe që përdorin “teknologji inteligjente klimatike” në të gjithë Indinë e deri te financimi i projekteve të energjisë diellore të SHBA-së në Indi, në mënyrë që të krijohen opsione më të qëndrueshme të energjisë për botën.
Dhe në Azinë Qendrore, ndërsa Kazakistani dëshiron të ridimensionojë rrjedhën e tregtisë fizike dhe digjitale në të gjithë Euroazinë, Kina ka ndërtuar atë që njihet si “Korridori i Veriut” – një korridor që lidh Azinë dhe Evropën nëpërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë – si pjesë e Brezit të Iniciativave Rrugore (BRI) prej disa vitesh.
Ndërkohë që lufta në Ukrainë tani po e bën këtë korridor të paqëndrueshëm, Kazakistani ka propozuar “Korridorin e Mesëm” alternativ – gjithashtu brenda kontekstit të BRI – i cili do të lidhte Azinë dhe Evropën përmes Turqisë. Kjo, natyrisht, krijon një enigmë të re për SHBA-në, e cila dëshiron që Evropa të shkëputet nga Rusia, por duket bërë këtë ajo mund të krijojë një efekt të kundërt, duke i shtyrë kompanitë evropiane drejt e në krahët e Kinës. Me gjithë këto blloqe të reja emergjente, bota po largohet nga një qasje “njëri grup për të gjithë” me ritme të shpejta. Epoka e vjetër e globalizimit po përfundon dhe aleancat dhe korridoret e reja që po formohen vetëm sa do të nxisin më shumë fragmentim global, duke gjeneruar tronditje të mëdha për qeveritë dhe bizneset. Së pari, shumë nga këto blloqe të reja ekskluzive të krijuara nga SHBA-ja nuk përfshijnë më aleatët tradicionalë të Amerikës, si Kanadaja, Franca apo Gjermania. Përkundrazi, përveç Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ja po forcon bashkëpunimin me Indo-Paqësorin, gjë që paraqet një dilemë për partnerët e saj të vjetër në Evropë dhe Lindjen e Mesme: A duhet të qëndrojnë me SHBA-në apo të provojnë fatin diku tjetër?
Kompanitë do të preken gjithashtu nga blloqet gjeopolitike tek të cilat do të zgjedhin të bashkohen qeveritë e tyre përkatëse, dhe të përballur me këtë fakt, ato po krijojnë gjithashtu blloqet e tyre specifike. Një pakt tashmë është nënshkruar midis SK Telecom dhe Deutsche Telekom për të ndërtuar një “Aleancë Metaverse” dhe kompani si Tesla kanë shprehur interes në ndërtimin e zinxhirëve të tyre të furnizimit për sa i përket resurseve esenciale. Së fundmi, ndërsa të gjithë sytë janë drejtuar për nga Perëndimi apo Azia, edhe Afrika po vjen në qendër të vëmendjes. Kohët e fundit, Bashkimi Afrikan (AU) mbajti Ditën e tretë të Integrimit të Afrikës nën temën e integrimit afrikan dhe de-globalizimit. Dhe AU tashmë po ua bën të qartë kompanive të kontinentit se ato duhet të bëhen të pavarura dhe të mos varen nga pjesa tjetër e botës. Ekonomia globale ka qenë e hapur dhe e aksesueshme për dekada të tëra, por tashmë duket se po bëhemi dëshmitarë të një riorganizimi të ri, i cili do ta përçajë botën përgjatë vijave të reja ndarëse. Shumë nga këto vija ndarëse janë ideologjike – një ndryshim masiv nga dekadat e fundit, kur ideologjia dukej se ishte duke u zhdukur. Po aq e rëndësishme, është se qartazi vendimet që do të merren nga këto blloqe të reja nuk do të ndihen vetëm nga shtetet apo kompanitë, por edhe nga njerëzit e zakonshëm. Në të ardhmen e afërt, do të ketë shumë blloqe që konkurrojnë për të qeverisur botën. Dhe këto blloqe do të duhet të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që gjejnë mënyra kreative për të sjellë shtetet – dhe kompanitë – në kampin e tyre. Pyetja është se deri ku do të shkojnë këto blloqe për të zbatuar idetë e tyre? Dhe, çfarë ndodh kur bashkëjetesa në mënyrë të pashmangshme bëhet më e vështirë nga ç ‘pritej?