Ky fundvit do të mbahet mend gjatë për kampionatet e futbollit në të gjithë botën, pasi do të kenë një ndërprerje të pazakontë për shkak të Botërorit “Katar 2022”, që starton më 20 nëntor.
Edhe futbolli shqiptar do të ndërpritet më 14 nëntor, pasi të jetë luajtur edhe java e 13-të e Kategorisë Superiore.
Por, jo vetëm elita, pasi në këtë datë do të ndërpriten gjithashtu Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë.
Pushimi total i futbollit në vendin tonë do të zgjasë deri më 7 dhjetor, kur është parashikuar të zhvillohet finalja e Superkupës, Tirana-Vllaznia.
Kampionatet rinisin më 11 dhjetor dhe vazhdojnë deri më 28 dhjetor, për t’u rikthyer më 14 janar.
“Panorama Sport” mëson se vetëm futbolli i moshave nga U-13 deri U-19 nuk do të pushojë.