Momenti i shumëpritur ka ardhur. Sonte në mbrëmje në “Theatre du Châtelet”, në Paris do të mësohet pasuesi i Lionel Mesit si lojtari më i mirë për sezonin 2021-2022.
TOPI I ARTE 1
Ceremonia e dhënies së këtij çmimi është parashikuar të nisë në orën 20:00 me orën lokale në Paris (Tiranë) dhe natyrisht që ky edicion ka ngjallur mjaft kureshtje.
Kjo pasi fituesi i edicionit të kaluar dhe rekordmeni i trofeve, Lionel Mesi (7) ka mbetur jashtë listës së 30 kandidatëve potencialë për të fituar.
Ndërkaq, kandidati kryesor për të fituar “Topin e Artë” për sezonin 2021-2022 është sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema.
BENZEMA
Me ndryshimin edhe të rregullave të votimit, suksesi për francezin bëhet gjithnjë e më i afërt.
Ai ka qenë i jashtëzakonshëm me Madridin në sezonin që lamë pas, duke udhëhequr ekipin e tij me 42 gola në një sukses të trefishtë.
Gjithçka nisi me Superkupën e Spanjës në janar për të vijuar me titullin në La Liga dhe e kurorëzuar me qershinë mbi tortë, Ligën e Kampioneve.
Prej ditësh ka qarkulluar një listë me fituesin, ku Benzema është ia padiskutueshëm.
Në listën e pretendentëve janë 6 lojtarë të Realit, 6 të Liverpulit dhe 6 të Mançester Sitit.
Ndërkohë, vetë UEFA e ka përgëzuar francezin para kohe, duke e cilësuar si të fituar trofeun prej tij.