Topi me të cilin legjenda e ndjerë e futbollit argjentinas, Diego Maradona shënoi golin e tij famëkeq “Dora e Zotit” në Kupën e Botës 1986 do të shitet në ankand muajin e ardhshëm.

Topi, i cili u soll në ankand nga Ankandi Graham Budd në Londër, do të shitet më 16 nëntor nga arbitri tunizian Ali Bin Nasser, i cili pranoi një nga golat më të diskutueshëm në histori gjatë çerekfinales së Kupës së Botës 1986 midis Argjentinës dhe Anglisë.

“Ky top është pjesë e historisë ndërkombëtare të futbollit, e ndjejmë se është koha e duhur për ta ndarë atë me botën. Në Meksikë 1986 unë isha në mesin e 42 arbitrave në turne”, tha Ali Bin Nasser për Ankandin Graham Budd.

“Arbitrat afrikanë nuk patën të njëjtat mundësi si ata në Evropë, kështu që kur m’u tha nga FIFA se isha zgjedhur sepse isha ndër më të mirët në botë ishte një nder i madh dhe kjo ishte kulm i karrierës”, shtoi ai.

Ankandi do të transmetohet drejtpërdrejt ndërsa blerësit e mundshëm mund të regjistrohen dhe të japin ofertat e tyre online nga 28 tetori. Topi është vlerësuar nga 2.5 deri 3 milionë funte (2.7 – 3.3 milionë dollarë).

Maradona, i cilësuar si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, vdiq nga arresti kardio-respirator në moshën 60-vjeçare më 25 nëntor 2020.

Ai u tërhoq nga futbolli në vitin 1997.

Gjatë karrierës së tij, Maradona luajti për klubin argjentinas Argentinos Juniors, Boca Juniors, Newell’s Old Boys, klubet spanjolle Barcelona dhe Sevilla dhe ekipin italian Napoli.

Maradona ishte një lojtar i rregullt në kombëtaren argjentinase dhe fitoi Kupën e Botës FIFA 1986.

Ai shënoi 34 gola në 91 paraqitje ndërkombëtare për Argjentinën.