Herbal Fructus Natyrore sh.p.k është një kompani e cila ndodhet në Vidhas të Elbasanit, e specializuar në përpunimin e frutave dhe perimeve.
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Eranda Selmanaj publikoi në rrjetet sociale foto nga kjo kompani ku pasqyrohen aspekte të ndryshme të punës që zhvillohen në këtë sipërmarrje.
“Kjo kompani në sajë të financimit nga IPARD II, masa 3, ka ndërtuar një magazinë me sipërfaqe 7000 m2, me hapësira që shërbejnë për tharjen, magazinimin, ruajtjen dhe seleksionimin e bimëve”, tha Selmanaj.
Ajo bëri të ditur se produktet e Herbal Fructus Natyrore janë të destinuara për tregun e jashtëm.
Ky është vetëm një prej subjekteve të mbështetura nga AZHBR, ndërsa janë edhe 37 subjekte të tjera që kanë përfituar në kuadër të kësaj mase në sektorin e fruta- perimeve, me një vlerë granti prej 18 milionë e 529 mijë euro, nga fondet e Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë shqiptare.