Sadio Mane u shfaq mes pretendentëve për fitimin e çmimit më prestigjioz në aspektin individual, “Topi i Artë”, por që në fund i kaloi Karim Bnzemasë. Dy kupat në Angli me Liverpulin dhe finalja e Championsit, pa anashkaluar suksesin me Senegalin në Kupën e Afrikës nuk i mjaftuan lojtarit afrikan për të thyer sulmuesin e Realit (Mane u rendit i 2-ti nga vlerësimi përfundimtar).
Por ai nuk mbeti duarbosh nga ceremonia e prestigjiozes franceze, si ideatorja “France Football”, i cila kishte rezervuar një surprizë të veçantë për të, një risi edhe për eventin në fjalë. Fjala është për trofeun “Sokrati”, e fituar nga Sadio. Çmimi konsistonte në angazhimin jashtë fushës së lojës, aty ku Mane ka ndihmuar jo vetëm familje, por komunitete të mëdha në vendlindje.
Pas konkretizimit dhe marrjes së trofeut 30-vjeçari i pati edhe dy fjalë për “Topin e Artë”: “Do të vijë edhe momenti im për këtë trofe kaq të lakmuar. Ndoshta në 2023-shin? Të shpresojmë”, pohonte mes buzëqeshjesh ish-i i Liverpulit./PANORAMASPORT.AL