Jose Murinho nuk do të jetë sot në pankinë për të drejtuar Romën e tij përballë Interit, që po ashtu ka qenë dikur i tij. Kartoni i kuq i marrë ndaj Atalantës u shoqërua me skualifikimin e tij, duke e detyruar portugezin ta ndjekë nga tribuna e “San Siro”-s sfidën, diçka që edhe pse nuk do t’i lejojë të përjetojë emocionet e fushës, me shumë mundësi do të rrisë dozën e tensionit të trajnerit, që zgjedhjet dhe udhëzimet do t’i transmetojë përmes telefonit, ndërsa reagimet do të mund t’ia shohim vetëm përmes xhamit.
Kjo ama, ashtu si fakti që nuk ka dalë në konferencën e zakonshme para ndeshjes, nuk e ka penguar trajnerin verdhekuq të japë një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ku ka folur për shumëçka, nga Toti te Tripleta zikaltër e deri te dëshira e tij për triumf.
ZANETI DHE TOTI – Speciale, është pak të quhet e kaluara e tij zikaltër, e shenjtëruar nga Tripleta e 2010-ës. Imazhi i Havier Zanetit duke ngritur trofeun e Champions League me Murinjon në krah është edhe sot një nga më të dashurat e tifozërisë zikaltër, një triumf që më shumë se asnjëherë mban vulën e trajnerit dhe që akoma sot përfaqëson një nga periudhat më të bukura të futbollit italian.
Ndoshta për këtë mund të mendohet se ai triumf, edhe ai i arritur me Porton, është ndër arritjet më të mëdha në karrierën e portugezit, që këtë herë zgjedh dinakërinë dhe jo të qenit i drejtpërdrejtë në përgjigje: “Për mua është e pamundur të zgjedh. Çdo fitore është e veçantë dhe çdo trofe unik në mënyrën e vet”.
E kur është fjala për të veçanta nga ajo fotografi e finales së Madridit e deri më sot padyshim që Havier Zaneti ngelet më i veçanti, një flamur i historisë zikaltër në rangun e Macolës dhe Faketit, por që sot është kthyer të bëjë drejtuesin në klubin e tij të zemrës, ashtu si Maldini te Milani. Nuk ka dy pa tre edhe në futbollin modern, vetëm një si Françesko Toti mund të qëndroje në podiumin e flamujve, me ndryshimin se ish-kapiteni i Romës sot është larg klubit.
“Nuk ka asnjë problem për Françeskon. Ai ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një simbol i Romës çfarëdo që të ndodhë dhe pavarësisht asaj që do të vendosë të bëjë në vazhdim në jetën e tij”, u shpreh Murinjo mbi ishnumrin 10.
Asnjëherë nën urdhrat e tij në karrierë, por Mou ka pasur të bëjë me shumë liderë të tjerë në karrierë, si Karvalho, Ferreira, Terri, Lampard, Çeh, por edhe Matiç, i kërkuar me ngulm për t’u transferuar te Roma. Megjithatë, shumë shpejt Zhoze bëri të qartë që nuk i pëlqen dallimet dhe u sigurua shpejt ta bënte të ditur: “Nuk kam lojtarë që do të doja t’i kisha gjithmonë me vete. Unë dua çdo lojtar që kam nën urdhrat e mi, nuk preferoj vetëm disa”.
MILANO DHE ROMA – “Këto qytete janë dy pikat qendrore të Italisë. Milano është motori i ekonomisë së vendit, ndërsa Roma është qendra e pushtetit politik dhe mund të thuhet, edhe muzeu i historisë italiane. E konsideroj veten me fat që pata mundësinë të jetoj në të dy qytetet”, e nisi krahasimin Murinjo, që padyshim nuk mund të mos ndalej në zemrën e çdo qyteti për sa i përket aspektit futbollistik. Ai ka qenë në shumë tempuj futbolli, nga “Do Dragao” në “Stamford Bridge”, nga “San Siro” e “Santiago Bernabeu” tek “Old Trafford” e “Tottenham Stadium” për të vënë këmbën së fundmi në “Olimpiko”, ku stadiumin duhet ta ndajë edhe me rivalët e qytetit, Lacion.
“Të gjitha këto stadiume më sjellin kujtime shumë intensive dhe shumë të bukura. Nga ana tjetër, të gjithë kanë shkruar faqe të rëndësishme të karrierës sime. Nuk më bën përshtypje fakti që e ndaj stadiumin me Lacion, kam jetuar edhe në qytete tjera ku ka pasur një rivalitet të fortë mes dy apo edhe më shumë klubeve. Jam mësuar me të, nuk më intereson”.
DËSHIRA PËR TË FITUAR – Të gjithë janë dakord që përshtypja e parë për 59-vjeçarin transmeton imazhin e një grabitqari të përqendruar gjithmonë te qëllimi. Pikërisht për këtë, nuk zgjedh të tregojë gjithmonë qëllimet e tij, edhe kur i kërkohet të dëgjojë vetëm instinktin për t’u përgjigjur nëse mendon se do të fitojë sërish te Roma para se të largohet.
“Do të përpiqem me gjithë zemër”, shprehet me shumë kujdes, të njëjtën përgjigje që ndoshta do të jepte edhe si djalosh i ri në Setubalin e tij, para se të merrte rrugën drejt sukseseve.
“Është qyteti më i bukur në botë. Për ata që nuk kanë qenë atje, do t’ju rekomandoja të shkonin dhe të kalonin një fundjavë atje për t’i shijuar të gjitha”, tha portugezi që tashmë pranë të 60-ave duket se ka të njëjtën dëshirë për të pushtuar botën si kur ishte 40 vjeç.
“Dëshira ime për të fituar nuk do të zbehet kurrë”, fjalia e thënë në fund duket si një ligj kur vjen nga goja e Murinjos, një fjali që përmbledh të gjithë atë që ka treguar në karrierë brenda fushës dhe jashtë saj, nëpërmjet klubeve apo zgjedhjeve të formacionit, pa harruar karakterin dhe karizmin që kanë plotësuar figurën e tij, atë që në futbollin e sotëm i ka dhënë tjetër kuptim fjalës “Special”./Panorama