Policia dhe prokuroria ende nuk kanë dalë të japin informacione mbi fatin e “mbretit të lojërave të fatit”, Ervis Martinaj.

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se policia ishte duke punuar për Martinajn duke mos dhënë më detaje të tjera, pavarësisht se më herët Rama kishte kërkuar nga institucionet shtetërore që “t’i jepej fund kësaj telenovela!”.

“Ne jemi duke punuar. Kemi struktura që po ndjekin rastin jemi në ecuri të procesit. Nuk kam asgjë më tepër për të deklaruar”, tha Rrumbullaku.

Zhdukja e Martinajt duket se ka përfshirë drejtpërdrejtë edhe strukturat e policisë pasi vetë efektivi i Forcave Operacionale Jeton Lami shërbente si badigard dhe shofer i tij.

Ndërkohë që as policia dhe as prokuroria nuk japin detaje në lidhje me fatin e Ervis Martinajt, gazetari Artan Hoxha në një dalje televizive tha se Ervis Martinaj i ka prishur një takim elektoral Ramës në Lezhë, për të cilin sipas tij kryeministri foli pasi u kthye nga andej.

“Një takim elektoral i kryeministrit në qarkun e Lezhës është sabotuar nga Ervis Martinaj dhe njerëzit e këtij të fundit. Kur u kthye, Rama foli për këtë incident duke theksuar se në ato makina që u kishin prishur takimin elektoral ishte drejtori i lojërave të fatit. Madje Rama shtoi: Ne dimë edhe targat, me të cilat lëvizni. Këto nuk i di regjimi, por i di patronazhimi”, tha Hoxha.

Video e marrë nga Xhungël:

Por ky nuk ka qenë rasti i vetëm kur të ‘fortët’, kanë prishur mitingun e liderëve politikë. Më 22 qershor 1997 ishte në Tropojë në një miting elektoral, ku Haklajt i prishën mitingun dhe iu vërsulën me sharje Sali Berishës.

Madje, i kanë sulmuar me armë edhe foninë e mitingut, duke mos e lejuar të zhvillonte aktivitet politik të qetë. Pas kësaj, Berisha nëpërmjet mikrofonit të mitingut, urdhëroi gardën dhe policinë ta arrestonin, por ata nuk vepruan. Pas përplasjes Berisha kërkon nga shoqëruesit e tij që gjallë a vdekur e do Shkëlqim Haklajn në Tiranë….

“Merrni masa për atë që u thashë. E dua me vete atë unë, e dua me vete atë unë. Ai do vijë direkt me ne”, urdhëron Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës për Shkëlqim Haklajn, që nuk ndalon së fyeri presidentin. “Merr Saliun, me të gjithë tani. Unë e dua, e dua të gjallë atë unë”, urdhëron serish Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës)./VoxNews

Për më tepër shikoni videon e marrë nga emisioni Xhungël i gazetarit Artan Hoxha: